Shqipëria

Presidenti Begaj pritet me ceremoni nga Presidentja e Kosovës Osmani


Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, ka nisur sot më 15 gusht vizitën zyrtare në Kosovë.

Ai është pritur nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani.

Dy krerët e shteteve priten të mbajnë një deklaratë të përbashkët në orën 11:50.

Kjo shënon vizitën e parë jashtë vendit që pas marrjes së mandatit si Kreu i Shtetit.

Pas takimit me homologen kosovare, Begaj do zhvillojë takim me kryetarin e parlamentit, Glauk Konjufca.

Kjo për të pasuar me takimin me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe delegacionet e dy vendeve.

Në ditën e parë të vizitës në shtetin e Kosovës, Begaj do të zhvillojë homazhe tek varri i presidentit Rugova, vizitë në shtëpinë muze të familjes Jashari si dhe nderime para memorialit të personave të zhdukur.

Në ditën e dytë të vizitës me ftesë të presidentit të Shqipërisë do të zhvillohen në ambientet e Kuvendit të Republikës së Kosovës takime me përfaqësues të partive politike.

Përkatësisht me kreun e AAK-së Ramush Haradinaj, kryetarin e LDK-së Lumir Abdixhiku, dhe atë të PDK-së Memli Krasniqi.

Presidenti do të zhvillojë takime edhe me partitë minoritare, komandantin e KFOR-it, dhe trupat e Forcave të Armatosura Shqiptare, që shërbejnë në KFOR (Pejë).

Vizita e parë zyrtare jashtë vendit, do të mbyllet me një takim me kryetarin e komunës së Prizrenit, dhe vizitën në Kompleksin e Lidhjes së Prizrenit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore