Kosova

Konjufca pret në takim Hækkerup-in, kërkohet miratimi i marrëveshjes për të burgosurit nga Danimarka


Nick Hækkerup dhe Glauk Konjufca

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, të enjten e 10 marsit ka pritur në takim Ministrin e Drejtësisë së Danimarkës, Nick Hækkerup, ku me ç’rast kanë diskutuar nevojën për miratimin në Kuvend të marrëveshjes ndërkombëtare dypalëshe për dhënien në shfrytëzim të qelive për të burgosurit nga Danimarka.

Në takim, përveç situatës së sigurisë në rajon pas agresionit rus në Ukrainë, u diskutua edhe për thellimin e bashkëpunimit dhe partneritetit në fusha me interes të përbashkët mes Kosovës dhe Danimarkë, thuhet në njoftimin e Kuvendit të Kosovës.

“Konjufca, me këtë rast, shprehu mirënjohje për mbështetjen që Mbretëria e Danimarkës ka dhënë për çlirimin, zhvillimin, shtetndërtimin dhe procesin e integrimit evropian të Kosovës. Ai theksoi se Republika e Kosovës dhe Mbretëria e Danimarkës kanë ndërtuar marrëdhënie shumë të mira partneriteti dhe shprehu besimin se mbështetja e shtetit danez ndaj vendit tonë do të vazhdojë edhe në të ardhmen”, vazhdon njoftimi.

Në anën tjetër, Hækkerup ka konfirmuar përkushtimin e Mbretërisë së Danimarkës për përkrahjen e Republikës së Kosovës në fusha të ndryshme zhvillimore, si dhe në rrugën evropiane dhe të anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore