Lajme

Konjufca njëjtë si Kurti: Qasja e BE-së e pabalancuar, kërkesat e tyre korrespondojnë me ato të Serbisë


Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se qasja e Bashkimit Evropian në raport me dialogun Kosovë-Serbi – ashtu siç deklaroi të enjten kryeministri Albin Kurti, pas takimit që e pati me presidentin serb Aleksandër Vuçiç, në Bruksel – “është e pabalancuar”.

“Sepse të gjitha kërkesat që parashtrohen në drejtim të Kosovës korrespondojnë me ato që na i kërkon neve vetë Serbia”, deklaroi Konjufca para gazetarëve pas ceremonisë së shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë.

“Sikur dorëheqja pa kurrfarë procedure e kryetarëve të komunave [Veriore], zhvleftësimi i procesit demokratik edhe i ligjshmërisë së institucioneve tona, të gjitha këto janë kërkesa të Serbisë dhe fatkeqësisht Bashkimi Evropian po na i kërkon këto”, shtoi.

Kreu i Kuvendit theksoi se “ne nuk mund ta shkelim shtetin tonë”.

Takimi i nivelit të lartë në Bruksel të enjten rezultoi pa marrëveshje, madje Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, për dështimin e takimit e fajësoi kryeministrin Kurti.

Por, sipas Konjufcës, “jo të gjitha marrëveshjet mund t’i pranojmë”.

“Ne e analizojmë, kryeministri e ka ekipin e vet, dhe vet atje është për këtë punë që t’i analizojë nëse ato janë në interes të Kosovës apo jo”, pohoi.

“Ne nuk do të lodhemi kurrë që edhe më tutje të argumentojmë me bashkësinë ndërkombëtare që ky është një pozicionim prej të cilës Kosova nuk mund të heqë dorë”.

Po të hiqte dorë, potencon kryeparlamentari, “mund të qojë në bosnjëzimin e Kosovës”.

“Populli e ka votuar Lëvizjen Vetëvendosje përpos arsyeve të tjera, unë mendoj që njëra prej arsyeve kryesore, qendrore pse Lëvizja Vetëvendosje ka fituar para dy vjetëve, me e stopu këtë proces të bosnjëzimit të Kosovës”.

Takimi i nëntë ndërmjet Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiç-it nuk prodhoi ndonjë rezultat.

Sipas Shefit të Diplomacisë së BE-së ishte Kurti ai që nuk e pranoi propozimin e BE-së për zbatimin e njëkohshëm të obligimeve që dalin nga kjo marrëveshje, ndërsa Vuçiç-i e pranoi.

Borrell tha se Kurti këmbënguli që të formalizohet, fillimisht, njohja de facto e Kosovës nga Serbia, kurse Vuçiç kërkoi themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë.

Kurti dhe Vuçiç, në konferenca të ndara për media, akuzuan njëri-tjetrin për mungesën e rezultateve nga takimi.

Kurti tha se “kushtëzimi i Serbisë” për formimin e Asociacionit “është shndërruar në qëndrim të emisarëve të BE-së”.

Sipas Vuçiç-it, Kurti, thjesht, “i shmanget formimit të Asociacionit. Ky është thelbi i gjithçkaje”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore