Konjufca konfirmon mbështetjen e Holandës për t’u përballur me sfida të ndryshme

Pas presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti, edhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, është takuar me ambasadoren e re të Holandës, për ta konfirmuar mbështetjen e saj për Kosovën.
SHFLETO
Sahide Brati
25.09.2024 15:47
Loading Icons...

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, është takuar me Ambasadoren e re të Holandës në Kosovë, Karin Boven, të mërkurën, ku u diskutuan disa çështje të aktualitetit duke përfshirë sfidat socio-ekonomike.

“Kryetari Konjufca theksoi se mbështetja e Holandës është shumë e nevojshme dhe e mirëpritur në lidhje me sfidat e ndryshme që kemi përpara, përfshirë edhe ato të zhvillimit të mëtejshëm socio-ekonomik, të stabilitetit dhe ndërveprimit për lehtësimin e çështjeve që kanë të bëjnë me diasporën”, thuhet në komunikatë.

Kryetari Konjufca e falënderoi ambasadoren për vizitën, e uroi për detyrën e re dhe theksoi se mbështetja mes këtyre dy vendeve është tejet e nevojshme të vazhdojë.

“Ai shprehu mirënjohjen për kontributin e Holandës ndaj Kosovës nëpër etapa të ndryshme, si dhe e vlerësoi mbështetjen e shtetit holandez ndaj vendit tonë që prek shumë sfera, duke përfshirë edhe atë të integrimeve”, ka thënë Konjufca siç citohet në njoftim.

Ata, potencohet se e vlerësuan bashkëpunimin midis dy vendeve, si dhe u pajtuan për nevojën e thellimit të raporteve bilaterale në të gjitha fushat.

Në anën tjetër, theksohet se ambasadorja Boven e falënderoi kryekuvendarin Konjufca për pritjen dhe theksoi “gatishmërinë e saj të plotë të bashkëpunimit, të bazuar në interesat e përbashkëta dhe në vlerat evropiane, të cilat i ndajmë”.

Mbështetja e Holandës, shtoi ajo se në drejtim të Kosovës do të vijojë edhe në të ardhmen.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pranoi letrat kredenciale nga Boven më 22 gusht. Ajo zëvendëson ambasadoren e deritanishme të Holandës në Prishtinë, Carin Lobbezo, të cilën krerët shtetëror e falënderuan për kontributin e dhënë për integrimin dhe sigurinë e vendit të vogël.