Kosova

Konjufca: Kemi përjetuar gjenocid nga shteti serb, bëjmë thirrje për drejtësi


Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, njërit nënkryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, në 19 vjetorin e themelimit të LVV-së, ka thënë se përgjegjësinë e zhdukjes së veprimtarit Ukshin Hoti nga burgu e ka Serbia të cilën e ka akuzuar për gjenocid ndaj Kosovës.

“Ne gjithmonë do të bëjmë thirrje për përgjegjësinë që e ka Serbia për zhdukjen me dhunë të Ukshin Hotit nga burgu, ashtu siç bëjmë thirrje për drejtësi, e që drejtësia të vije më në fund për gjenocidin që e kemi përjetuar si popull nga shteti serb, nga regjimi serb, nga ushtria dhe policia e forcat paramilitare të Serbisë”, tha Konjufca.

“Thirrja e Hotit për themelimin e UÇK-së para gjyqit serb dhe kontributi i tij si profesor e bëjnë Hotin patriotin tonë më të madh”, shtoi kreu i Kuvendit të Kosovës.

Ndërkaq kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë vizitës së tij në shtëpinë muze të Hotit, në Krushë të Madhe, ka deklaruar se e vërteta për të ndodhet në arkivat e Beogradit.

“E vërteta për profesor Ukshin Hotin me siguri ndodhet në arkivat e Beogradit”, ka thënë Kurti.

Duke shtuar se, “ata që janë fajtorë, ata që janë përgjegjës, ata e kanë edhe arkivin e zhdukjes së profesor Ukshin Hotit”.

Ndryshe, që nga 16 maji i 1999-ës, nuk dihet asgjë për fatin e profesorit Ukshin Hoti nga Krusha e Madhe e Rahovecit.

Filozofi, profesori universitar, aktivisti i madh politik, zëri i ndërgjegjes shqiptare, Ukshin Hoti, u zhduk pas lirimit të tij nga burgu i Dubravës, ku ishte duke vuajtur dënimin me burgim pesë vjeçar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore