Lajme

Konjufca “i befasuar” që u shfajësua për gazin lotsjellës: Prita një dënim 200 eurosh


Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka komentuar vendimin e gjykatës në rastin ndaj tij, duke thënë se ka qenë ‘befasi’ vendimi për lirmin nga akuzat për gazin lotsjellës në Kuvend në vitin 2016.

“Më ka befasuar vendimi i Gjykatës. Unë kam pritur që të dënohem me 200 euro. Por ai dënim nuk do të përbente diçka të rëndësishme. Nuk do ma kishte dëmtuar ndërgjegjen asnjë miligram. Unë e kam bërë atë veprim me vetëdije sepse ai ka qenë veprim politik”, tha Konjufca gjatë një interviste në Kanal 10 të hënën.

“Unë jam i pafajshëm, i fajshëm je kur bën krim. Unë nuk kam përdorur armë. Do të jepja dorëheqje nëse kisha menduar se kam bërë krim”, shtoi kryekuvendari.

Konjufca me kritika për Escobarin: Po e shtynë konceptin Lajçakut, i cili është shumë i njëanshëm

Gjatë kësaj interviste, Konjufca, ka thënë se i dërguari special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak në mënyrë të hapur është pozicionuar në anën e Serbisë dhe për këtë sipas tij e ka mbështetjen edhe të dërguarit Special të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

“Zotëri Escobar e shtynë konceptin e zotëri Lajçakut. Escobar nuk mendoj që ka një agjendë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Escobari e shtynë përpara atë që e specifikon zotëri Lajçak i cili është shumë i njëanshëm, zotëri Escobar e mbështet goxha shumë këtë drejtim të cilin e ka specifikuar zotëri Lajçak. Serbia po vlerësohet më rëndësishme dhe kjo nuk është korrekte”, tha Konjufca në një intervistë për Kanal 10.

Sipas tij, vendimi për ndalimin e dinarit në komunat e banuara me shumicë serbe nuk i prish marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuar të Amerikës, përkundër kritikave të mëdha.

“Për dinarin duhet të ketë një zgjidhje nga ana e Qeverisë e cila e bind bashkësinë ndërkombëtare. Duhet të ndajmë më shumë informacion me aleatët se cilat do të jenë veprimet e tona edhe aty ku has sharra në gozhdë, aty ku reagimi i bashkësisë ndërkombëtare është aq i madh saqë Kosova bëhet edhe temë e mediave botërore”, potencoi ai.

Konjufca: Escobar s’mundi të arrinte marrëveshje për dinarin – na ngarkoi me kritere që i kemi kaluar për anëtarësim në KiE

Po ashtu, Konjufca u shpreh i bindur se nuk ka kushte tjera për anëtarësim të Kosovës në Këshillin e Evropës edhe pse i Dërguari Special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, theksoi se për t’u anëtarësuar Kosova në këtë organizëm ndërkombëtar duhet që t’i plotësojë edhe dy kushte të tjera, themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe shpronësimet në Veri.

“Kanë qenë tri kushte në sesionin e shtatorit të vitit 2023, Asociacioni, shpronësimet dhe Manastirit i Deçanit. Pas diskutimeve të shumta ndërmjet vet grupeve parlamentare të asamblesë të Këshillit të Evropës është ardhur deri te përfundimi që të hiqen. Për shpronësimet në Veri jemi sqaruar. Sa i përket Asociacionit është në marrëveshjen e Ohrit. Kjo që e tha Escobar më është dukur diçka e çuditshme, të cilën e shtoi vetëm zotëri Escobar”, tha Konjufca gjatë një interviste në Kanal 10.

Ndërkaq deklarimi i diplomatit amerikan se Kosova për t’u anëtarësuar në KiE i “duhet ta themelojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe”, Konjufca thotë se erdhi pasi Escobar nuk arriti ta bindte kryeministrin Albin Kurti që të heq dorë nga vendimi për ndalimin e përdorimit të dinarit në komunat e banuara me shumicë serbe.

“Këtë më duket se e bëri se nuk mundi të arrinte një marrëveshje për dinarin. Më duket që e ngarkoi Kosovën me disa kritere që ne i kemi tejkaluar. Vetëm Manastiri i Deçanit është në këtë fazë. Për një gjë të tillë e kemi marrë konfirmimin e gjitha grupimeve paralajmëtare, e kam marrë edhe zotimin e Presidentit të Këshillit të Evropës edhe të shumë delegacioneve nacionale”, shtoi kreu i Kuvendit.

“Nuk besoj që Këshilli i Evropës e mashtron Kosovën. Grupet politike në Këshillin e Evropës kanë punuar shumë që këto kritere me u largu, sepse ato varen nga Serbia. Krijimin e Asociacionit, Serbia mundet ta prolongojë vazhdimisht, zonja Brnabiç ka dërguar letër në Bruksel e cila e mohon zbatimin e caktuar të pikave të ndryshme të Marrëveshjes së Ohrit”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore