Kosova

Konjufca falënderon Izraelin për largimin e vizave për kosovarët


Glauk Konjufca dhe Moshe Arbel

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, të martën ka takuar ministrin e Punëve të Brendshme të Izraelit, Moshe Arbel, të cilin e ka falënderuar për punën e bërë për të arritur deri te heqja e vizave nga shteti i Izraelit për qytetarët e Kosovës.

“Palët vlerësuan se kjo gjë përbën një hap shumë domethënës në zhvillimin e raporteve mes dy shteteve, si dhe është një mundësi shumë e mirë për të rritur shkëmbimet e dyanshme, ku qytetarët e dy vendeve tona do të jenë ata që do të përfitojnë më së shumti”, thuhet në njoftimin e Kuvendit të Kosovës.

Izraeli i ka hequr vizat për qytetarët e Kosovës, duke u bërë kështu shteti i 50-të që mundëson lëvizje të lirë për kosovarët. Nënshkrimi i marrëveshjes në mes të dy shteteve u bë më 18 qershor në Prishtinë, nga ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, dhe ministri i Brendshëm i Izraelit, Moshe Arbel.

Në takimin e Konjufcës me Arbel u diskutuan edhe temat e tjera të interesit të përbashkët, që përfshijnë “bashkëpunimin ekonomik, marrëdhëniet diplomatike dhe kulturore, çështje të sigurisë dhe mundësitë për të forcuar edhe më tej raportet mes dy vendeve”.

Ministri i Brendshëm i Izraelit, Moshe Arbel, siç njofton komunikata ka falënderuar Konjufcën “për pritjen dhe shprehu gatishmërinë e tij për të bërë sa më shumë hapa për rritje të bashkëpunimit, në drejtim të interesave të përbashkët”.

Izraeli është shteti i fundit që e njohu Kosovën.

Dy shtetet zyrtarizuan marrëdhëniet diplomatike në shkurt të vitit 2021.

Atyre iu parapriu ajo që njihet si Marrëveshja e Uashingtonit, të cilën Kosova dhe Serbia e nënshkruan më 4 shtator të vitit 2020, me qëllim normalizimin e marrëdhënieve ekonomike.

Kosova hapi ambasadën e saj në Jerusalem në korrik të vitit 2021, në këmbim të njohjes së pavarësisë së saj nga Izraeli.

Izraeli heq vizat për Kosovën, nënshkruhet marrëveshja  

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore