Kosova

Konjufca, deputetëve: Ta dini në pushime nuk ju lëshoj para 10 gushtit


Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

Pas pauzës në seancën e Kuvendit të Kosovës të pranishëm kanë qenë vetëm 61 deputetë, numër ky i pamjaftueshëm për të votuar marrëveshjen ndërkombëtare e cila është në rend dite.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka konfirmuar se në sallë janë të pranishëm vetëm 61 deputetë dhe nuk ka kuorum për të votuar marrëveshjen ndërkombëtare.

“Po vazhdojmë me seancën, kemi mbet tek marrëveshja ndërkombëtare por kjo e kërkon një prani mjaft të lartë dhe 80 vota për të kaluar. Nuk ju lëshoj para 10 gushtit, ta dini , hiç. Virusi, vaksinohuni”, u ka thënë Konjufca deputetëve.

Kuvendi i Kosovës.

Ndryshe, më 14 korrik Kuvendi i Kosovës kishte miratuar Projektligjin për Byronë Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Projektligji, pas një debati mes pozitës dhe opozitës, ka marrë 58 vota pro nga 61 veta sa kanë votuar.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ndryshe nga partia në pushtet Lëvizja Vetëvendosje, nuk ka votuar pro, por ka abstenuar.

Kuvendi ka votuar në lexim të dytë edhe Projektligji për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë dhe të dhuratave.

Projektligji ka marrë 60 vota pro, me kryetarin e Kuvendit që sërish ka abstenuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore