Kosova

Konjufca: Afrim Bunjaku e Enver Zymberi ranë në krye të detyrës, po mbronin atdheun nga Serbia


Glauk Konjufca, Kryetar i Kuvendit.

Enver Zyberi dhe Afrim Bunjaku ranë në krye të detyrës për të mbrojtur atdheun nga Serbia.

Kështu ka thënë Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, pas vizitës që ka pasur në familjet e të dy heronjve, për nder të ditës së policëve të rënë në krye të detyrës.

“Jemi në përvjetorin, në ditën e cila, për shkak të rënies së Enver Zymberit, është caktuar edhe dita e policëve të rënë, për t’i përkujtuar ata. Ishim edhe në familjen e Afrimit e tash te familja e Enverit, të heronjve tanë”, tha fillimisht Konjufca.

“Takuam familjarët e tyre dhe shprehëm rëndësinë që e ka kjo datë e cila përkujton të gjithë policët e rënë në detyrë, por të gjithë atyre padyshim u prin Afrim Bunjaku e Enver Zymeri që janë heronjtë tanë, e të cilët ranë në krye të detyrës për ta mbrojtur atdheun tonë, për ta mbrojtur atë nga Serbia, për ta mbrojtur atë kur atdheu ynë u sulmua në të dy rastet”, shtoi.

Ky, sipas të parit të Kuvendit, është shembulli më i vlefshëm, e të cilin, pohon ai, “duhet ta kultivojmë si shoqëri, e të cilin duhet ta kujtojmë”.

“Sepse është shembulli që kur atdheu rrezikohet e sulmohet, nuk duhet të kursejmë asgjë nga vetvetja”, potencoi Konjufca dhe shtoi se “kështu bën Afrimi dhe Enveri sepse dhanë më të shtrenjtën e tyre”.

“Nuk u frikësuan që ta japin jetën”.

Kjo, në prizmin e tij, me siguri është e vlefshme edhe “për policët e tjerë, kolegët e tyre të gjallë, të cilët e vazhdojnë punën e tyre për me mbrojt Kosovën dhe për të siguruar rendin, sundimin e ligjit në vendin e tyre”.

Këtë të premte janë bërë 13 vjet që nga koha kur polici Enver Zymberi ishte vrarë në Veri të vendit, në një aksion që policia e kishte marrë në atë pjesë të vendit për të shtrirë sovranitetin.

Ndërsa, Afrim Bunjaku u vra më 24 shtator 2023, pasi që një grup terroristësh, të prirë nga kryekrimineli Milan Radojiçiç, sulmuan Policinë e Kosovës në Banjë të Zveçanit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore