Kultura

‘Konfucianizmi’, kultura e lashtë koreane shumë e ndryshme nga të tjerat


Kulturat e vendeve të botës janë të ndryshme njëra nga tjetra. Çka mund të lejohet te një vend, nuk lejohet diku tjetër.

Joel Bennett nga Mbretëria e Bashkuar e kuptoi gabimin e tij në Korenë e Jugut pas fjalës që shqiptoi.

Pasi konsumoi një vakt, ai e falënderoi pronaren e një restoranti, me mendimin se po tregohej i sjellshëm.

Pa e ditur, ishte treguar fyes dhe i pasjellshëm.

“Nuk e kuptova se kishte kaq shumë mënyra për të thënë faleminderit. Unë gjithmonë kam menduar se faleminderit, është faleminderit”, tha Bennett.

Por, Bennett kishte përdorur formën jo-formale të gjuhës koreane, një sistem kompleks gjuhësor me nivele të shumta të të folurit, që është përshkruar si një nga gjuhët më të komplikuara në botë.

Ai kishte shqiptuar fjalën “gomawo”, që përkthehet në një “faleminderit” të freskët në anglisht. Pa e ditur kishte përdorur një version të rastësishëm të “faleminderit”, që u interpretua si i pasjellshëm dhe fyes.

Nëse ju shkoni në Korenë e Jugut, sapo të takoni dikë të ri, do t’ju pyesin se “cila është mosha juaj?”

Të ndash lirisht moshën ose vitin e lindjes nuk është thjesht një konventë shoqërore. Është një kontratë shoqërore që vendos rendin dhe hierarkinë ndërmjet folësve.

Sepse edhe diferenca e një viti mund të diktojë gjithçka, nga mënyra se si njerëzit flasin me njëri-tjetrin deri te mënyra sesi hanë dhe pinë në shoqërinë e njëri-tjetrit.

“Faktori numër një, kur përcaktoni se cilin stil të të folurit duhet përdorur, është mosha”, shpjegoi Jieun Kiaer, profesor i gjuhës koreane dhe gjuhësisë në Universitetin e Oksfordit.

“Kjo është arsyeja pse njerëzit gjithmonë pyesin njëri-tjetrin për moshën e tyre. Jo sepse ata janë domosdoshmërisht të interesuar se sa vjeç jeni, por sepse ata me të vërtetë duhet të gjejnë formën e përshtatshme të stilit të të folurit”.

Për disa perëndimorë, kjo pyetje për moshën e një të njohuri të ri mund të shihet e papërshtatshme.

Por për të kuptuar plotësisht pse mosha nuk është vetëm një numër në shoqërinë koreane, lypset të kuptoni ndikimit e neo-konfucianizmit në Korenë e Jugut, ideologji e lashtë e përqendruar në përkushtimin birnor, respektimin ndaj pleqve dhe rendit shoqëror, e cila qeverisi vendin për më shumë se 500 vjet gjatë gjithë dinastisë Joseon (1392-1910) dhe vazhdon të diktojë normat shoqërore.

“I gjithë konfucianizmi mund të përmblidhet në dy fjalë: njerëzimi dhe rituali”, tha Ro Young-chan, profesor i studimeve fetare dhe drejtor i “Qendrës së Studimeve Koreane” në Universitetin George Mason në Fairfax, Virxhinia.

Mësimet e filozofit kinez Konfuci (551 deri në 479 p.e.s.) lindën gjatë një periudhe trazirash në historinë kineze.

Për të rivendosur rendin në të gjithë vendin, filozofi besonte se njerëzimi mund të shpëtohej duke krijuar një strukturë shoqërore bazuar në një kod të rreptë të riteve ceremoniale, tek të cilat secili merrte një rol të caktuar – dhe të gjithë e kuptonin vendin e tyre brenda tij.

Në neo-konfucianizëm, harmonia sociale mund të arrihet duke respektuar rendin natyror brenda pesë marrëdhënieve qendrore të njohura si oryun: mbreti dhe nënshtetas; burri dhe gruaja, prindi dhe fëmija; vëllai me vëllain; dhe miku me mikun.

Ndërsa sistemi i nderit i gjuhës koreane ka deri në shtatë nivele të stileve të të folurit dhe të të shkruarit.

Biseda e përditshme mund të ndahet në dy nivele: forma e rastësishme, joformale, forma më formale, më respektuese e të folurit, e cila përgjithësisht shprehet duke shtuar mbaresën “yo” në një fjali.

“Kërkon shumë kujdes për të gjetur stilin e duhur të të folurit”, tha Kiaer.

“Nëse përdorni të gabuarën, mund të krijoni shumë konflikte dhe nuk do të jeni në gjendje të realizoni një bisedë të suksesshme me personin tjetër”.

Përpara se të transferohej në Korenë e Jugut në gusht, nga Toronto, Delia Xu u tregua i kujdesshëm për të mësuar strategjitë.

“Mendoj se është vërtet e rëndësishme që kur mësoni për herë të parë, të mësoni strukturat bazë gramatikore”, tha ajo.

Ne duhet ta kuptojmë shoqërinë si një familje më e madhe. Nëse takoni një person të moshuar, ju e trajtoni atë si vëllain ose motrën tuaj më të madhe. Është një mënyrë interesante për të parë shoqërinë dhe botën.

Një studiues modern korean, Kim Kyung-il, bëri thirrje për zhdukjen totale të konfucianizmit në një libër kontrovers të titulluar “Konfuci duhet të vdesë që ky komb të jetojë”.

“Konfucianizmi është një traditë e gjallë”, tha ai.

“Ne duhet t’i ndryshojmë traditat tona dhe t’i bëjmë ato të kenë kuptim për shoqërinë moderne”.

Marrë nga “BBC”, përshtatur për Albanian Post.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore