Shqipëria

Konflikti shqiptaro-serb është një hap larg, paralajmëron Majko


Ish-kryeministri i Shqipërisë në periudhën e luftës në Kosovë, Pandeli Majko, deklaroi se “konflikti shqiptaro-serb është një hap larg” dhe sipas tij “shërbimet ruse po punojnë nën alibinë e krijuar”.

Lajmi u bë i ditur nga deputeti socialist, duke cituar reagimin e tij në median sociale “Facebook”.

“Konflikti shqiptaro-serb është një hap larg! Shërbimet ruse po punojnë nën ‘alibinë’ e krijuar! Këmbëngulja për të bërë gjënë e duhur, në politikë, bëhet shpesh justifikim për rezultatin e gabuar”, ka shkruar Majko duke iu drejtuar një mesazh edhe autoriteteve vendase.

Në muajin nëntor të vitit të kaluar, përfaqësuesi socialist e konsideroi aksionin e braktisjes së institucioneve nga serbët në Kosovë si “një aksion i organizuar nga Beogradi zyrtar”.

Majko bëri thirrje asokohe për gjakftohtësi dhe sa më pak “deklarime trimash”, pasi “jemi në prag të një kaosi pa fitimtarë”.

Sipas tij, konflikti shqiptaro – serb ka cilësinë e pandryshueshme në të cilën “serbët sillen si viktima dhe shqiptarët, në fund, numërojnë jetët e humbura nga rradhët e tyre”.

Për Majkon, sjellja e politikës serbe në Ballkan nga krijimi i shtetit të saj, “ka qenë dhe është e mbështetur tek dhuna”.

Kjo e fundit, si arsyetim që vendos për rezultatin përfundimtar.

Përfaqësuesi socialist sqaron se kjo që po ndodh aktualisht në Kosovë është rezultat i kthimit të statusit të “të fortit” në kulturën politike.

Ai vërejti në statusin e tij se kombi që nisi një Luftë të Parë Botërore në Sarajevë, po tenton ta përsërisë sërish atë.

“Mungesa e guximit për të pranuar realitetin e pas Luftës në ish-Jugosllavi, dhe ndërtimi i një bote virtuale për veten, janë shkaktarët realë pse politika serbe rrezikon rajonin me një konflikt të përsëritur ndërkombëtar”, shkruan më tej Majko.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore