Lajme

“Konflikti në Ballkan akoma i frenueshëm, por ka rrezik që të përshkallëzohet”


Wolfgang Petritsch

Dikur përfaqësuesi i lartë i Komunitetit Ndërkombëtar për Bosnje dhe Hercegovinë, Wolfgang Petritsch, e njeh shumë mirë Ballkanin Perëndimor, prandaj deklaron se fare lehtë situata mund të përshkallëzohet, derisa komenton zhvillimet e fundit në Veri të Kosovës.

“Ajo që po ndodh në Ballkanin Perëndimor është konflikt i frenueshëm, por që ka potencial për përshkallëzim. Prandaj, jam i bindur se përpjekjet diplomatike të Bashkimit Evropian, të përkrahura nga Shtetet e Bashkuara, janë të një rëndësie të madhe në rajon”, thotë Petritsch në një intervistë për Radio Evropa e Lirë.

Ai ka bërë një ndërlidhje të situatës me atë se çfarë po ndodhë në Ukrainë, ku tha se tashmë janë krijuar dy linja dhe përveç luftimeve në terren mes Ukrainës e Rusisë, ka edhe një tjetër “luftë të ftoftë” mes Perëndimit dhe Rusisë e satelitëve të saj.

“Padyshim, është lufta në Ukrainë, e cila ka krijuar një lloj lufte të ftohtë”, thotë diplomati austriak.

“Nuk është vetëm lufta me armë në Ukrainë. Ekziston edhe një luftë e ftohtë në mes të Evropës perëndimore dhe Shteteve të Bashkuara në njërën anë, dhe Rusisë e mbështetësve të saj në anën tjetër”.

Dhe kjo ndarje, bie fiks përmes rajonit të Ballkanit, sipas Petritsch.

“Në Ballkanin Perëndimor, linja e demarkimit është përskaj këtij rajoni. Prandaj, situata është kaq e paqëndrueshme dhe afër përshkallëzimit në një tjetër konflikt ushtarak”.

Por, diçka e tillë, sipas tij, “duhet të shmanget në çfarëdo rrethane dhe KFOR-i ka një rol të rëndësishëm për të luajtur”.

“Në Ballkanin Perëndimor, për dallim nga lufta në Ukrainë, NATO-ja është e përfshirë përmes KFOR-it, më pas misionit që ka në Bosnjë e Hercegovinë, anëtarësimit të Malit të Zi dhe vendeve tjera në rajon që janë anëtare të aleancës veri-atlantike”.

“Pra, kjo e dallon nga Ukraina, ku NATO-ja nuk është e përfshirë dhe nuk duhet të përfshihet, ashtu që të shmanget një luftë botërore dhe luftë në dimensione evropiane”.

Intervista e plotë e Petritsch për Radio Evropa e Lirë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore