Shqipëria

Konfirmohet masa e arrestit me burg për 10 të arrestuarit e kokainës në Fier


Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka konfirmuar masën e sigurisë “Arrest me burg” për dhjetë persona të arrestuar nga Policia e Shtetit, si rrjedhojë e një operacioni policor në Frakull të Fierit, ku u kapën 430 kilogramë lëndë narkotike e llojit kokainë.

Personi porositës, në bazë të akuzës nga SPAK, është Zenel Çervenaku, vëllai i Viktor Çervenakut, ish-kryetar komune në Frakull dhe gjithashtu drejtor pranë Operatorit të Sistemit të Transmetimit.

Po ashtu, edhe djali i tij, Denilson Çervenaku, është pjesë e të arrestuarve, së bashku me të fejuarën e tij, Enxhi Ferhati.

Shtetasit e tjerë, të cilët janë vënë nën akuzë si bashkëpunëtorë, janë NIkolin Gjolena, i cili dyshohet si financues, Klajdi Vrioni, Julian Malaj, Redion Meshi, Bledar Matoshi dhe Marildo Rona.

Në kërkim ndërkaq është një shtetas kolumbian, Zaimir Rogrigues.

Pavarësisht akuzave, të gjithë personat i kanë mohuar ato, ku Zenel Çervenaku ka pretenduar fillimisht se ai ka bërë porosi thjesht për pleh organik dhe nuk ka pasur asnjë dijeni mbi çfarë fshihej në të.

Teksa, nga ana e avokatit mbrojtës, pretendohet se nuk ka një ekspertizë mbi atë çfarë ndodhet brenda plehut, ndaj nuk mund të ketë akuzë.

Operacioni trepalësh

430 kilogramë kokainë janë sekuestruar në Fier nga Prokuroria e Posaçme (SPAK).

Kështu kanë bërë me dije prokurorët e SPAK-ut, të cilët kanë ndarë detaje nga mega operacioni i zhvilluar në bashkëpunim me Polcinë e Shtetit, Byronë Kombëtare të Hetimit, disa agjenci të huaja të zbatimit të ligjit dhe Policinë në Malin e Zi.

Sipas prokurorit të çështjes, ekzistonin të dhëna se në maj të vitit 2022 ishte ngarkuar një sasi me pleh artificial nga Kolumbia për në Pire.

Më pas sasia ishte drejtuar për në Portin e Tivarit në Mal të Zi.

Kështu pasi është zhdoganuar ngarkesa me “pleh-organik”, nën koordinimin e vazhdueshëm të personave nën hetim është mundësuar zhvendosja e saj në ambiente të ndryshme në Shqipëri.

Porositësi i sasisë së plehut ishte një shtetas shqiptar, i cili kishte hapur aktivitet për importin e plehrave kimike dhe mallrave të tjera.

Por, sipas SPAK-ut, brenda 20 paletave u gjet një sasi prej rreth 430 kilogram lëndë narkotike e llojit kokainë, e cila referuar shitjes në tregun me pakicë vlera e saj kap shifrën rreth 40 milionë euro.

Si rezultat i kontrolleve, janë sekuestruar si prova materiale: 15 mijë e 910 euro, tre armë zjarri automatik kallashnikov, tre armë zjarri të llojit pistolet, 108 copë fishekë luftarakë të kalibrave të ndryshëm, 18 aparate telefonash celulare, pesë automjete, dy laptop dhe dy armë gjahu.

Prokurorët u shprehën se, vendosën të mos kapnin menjëherë kokainën, por të prisnin që klienti të vinte për dërgesën, pra të kontrollohej ajo.

Kjo, me qëllim identifikimin e plotë të bashkëpunëtorëve, të cilët kanë marrë pjesë në përgatitjen e dokumentacionit rreth hapjes në Shqipëri të kompanisë që do realizonte transportimin dhe marrjen në dorëzim të “ngarkesës” brenda të cilës dyshohej se është përzier lënda narkotike e llojit kokainë.

Dalin pamjet, si u gjetën 430 kg kokainë mes thasëve me pleh?

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore