Kosova

Konfirmohet: Borrell takohet me Kurtin dhe Vuçiç-in në Bruksel


Bashkimi Evropain, ka bërë të ditur se të enjten përfaqësuesi i Lartë për Politikën e Jashtme, Josep Borrell, do të zhvillojë takime të ndara me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, pas situatës së krijuar në Veri të Kosovës.

“Pas zhvillimeve të fundit në Veri të Kosovës, Josep Borrell, i mbështetur nga Miroslav Lajçak, do të organizojë një sërë takimesh për menaxhimin e krizave me Kurtin dhe Vuçiç-in në Bruksel”.

Diskutimet, sipas komunikatës zyrtare për media, do të fokusohen në gjetjen e mënyrave për të de-përshkallëzuar tensionet aktuale në mënyrë që Kosova dhe Serbia të rikthehen në zbatimin e Marrëveshjeve të dalura nga dialogu në veçanti Marrëveshjes së Brukselit/Ohrit.

Pas përfundimit të takimeve, siç rëndom ndodhë, kryediplomati spanjoll, do të mbajë një konferencë për media për të informuar mbi mbarëvajtjen e takimit të nivelit të lartë në mes të Kurtit dhe Vuçiç-it.

Një ditë më parë kryeministri Kurti, nëpërmjet një cicërime në llogarinë e tij në Twitter ka konfirmuar se më 22 qershor do të jetë në Bruksel duke iu përgjigjur kështu ftesës së shefit të diplomacisë evropiane, Borrell, për një takim të nivelit të lartë me Vuçiç’in.

Kurti ka bërë të ditur se në Bruksel do të insistojë për lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të tre policëve kufitar që po mbahen peng nga Serbia, shtensionimin e situatës dhe normalizimin e raporteve.

Pjesëmarrjen në dialog, të enjten, e ka konfirmuar edhe presidenti serb, megjithatë ai ka bërë të ditur se do të takohet vetëm me kryediplomatin spanjoll, e jo me Kurtin.

“Nuk do të flas me Albin Kurtin në Bruksel, nuk ka kuptim të flas me të. Ai na jep leksione për filozofinë, pak për Adem Demaçin, pak për Karl Marx, e për Enver Hoxhën, sot do të bisedoj vetëm me kreun e diplomacisë evropiane, Josep Borrell. Serbia është në një situatë të vështirë dhe nën presion të madh”, ka thënë Vuçiç.

Që nga 26 maji tensionet në Veri të Kosovës u rritën si pasojë e vendimit të Qeverisë së Kosovës për të instaluar kryetarët e sapozgjedhur në ndërtesat komunale nën asistencën e Policisë së Kosovës.

Ndërsa më 14 qershor, tensionet mes Kosovës dhe Serbisë, u përkeqësuan edhe më tej, pasi shteti i Serbisë, arrestoj tre zyrtarët policorë të Kosovës.

Serbia po pretendon se policët nga Kosova u arrestuan thellë brenda territorit të saj.

Në anën tjetër Kosova tha se ata ishin brenda territorit të vendit.

BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara i kanë paraqitur kryeministrit Kurti, tri kërkesa sa i përket tensioneve: qetësimin e situatës në veri të Kosovës, mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat në veri dhe rikthimin në dialogun për normalizimin e raporteve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore