Shqipëria

Konfindustria: Eksporti i mbetjeve rënie e zinxhirit institucional, SPAK të nisë hetimet


Konfindustria ka reaguar mbi eksportin e mbetjeve nga Porti i Durrësit drejt vendeve të tjera.

Këtë, e ka cilësuar një mungesë kontrolli nga ana e institucioneve përgjegjëse dhe shfaqje e qartë e korrupsionit shtetëror.

“Konfindustria shpreh shqetësimin e thellë për rënien e plotë të gjithë zinxhirit institucional dhe agjencive të licensimit, kontrollit, inspektimit mjedisor dhe doganor me shfaqje të qartë të korrupsionit shtetëror”, thuhet në reagim.

Nëpërmjet një reagimi të bërë, ka ravijëzuar ndër të tjera se Prokuroria e Posaçme SPAK duhet të hetojë rastin.

“Konfindustria i kërkon institucioneve të ekzekutivit, Kuvendit të Shqipërisë dhe drejtësisë përfshi SPAK të nxjerrin gjithë përgjegjësitë vetjake, institucionale dhe ligjore, që kanë krijuar kushtet për skandalin e fundit ndërkombëtar të mbetjeve industriale, duke përdorur territorin shqiptar dhe cënuar rëndë interesat kombëtare”, vijon reagimi.

Po ashtu ripërsërit kërkesën drejtuar Kryeministrit Edi Rama për krijimin e Ministrisë së Mjedisit, të shkëputur nga ajo e Turizmit.

“Konfindustria, duke marrë shkak nga skandali i ndërkombëtar i eksportit të mbetjeve me cënim të rëndë të ekonomisë dhe imazhit të shtetit shqiptar, ripërsërit kërkesën drejtuar kryeministrit Rama për krijimin sa më të shpejtë të Ministrisë së Mjedisit të shkëputur nga Turizmi”.

Inspektoratit Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore sakaq po monitoron zhvillimet në kompaninë Kurum International.

Kjo e fundit, jo-zyrtarisht ka deklaruar pak ditë më parë se puna në Uzinën e Çelikut është ndërprerë prej më shumë se një jave.

Referuar kompanisë, shkak i ndërprerjes është bërë rritja e kostos së prodhimit të çelikut, duke bërë që kompania të mos jetë konkurruese me tregun e Kinës dhe Turqisë.

Po ashtu kompani pretendon se janë lajmëruar punonjësit dhe se është bërë marrëveshja me sindikatën e punonjësve për ndërprerjen e punës.

Ndërkohë, me mbylljen e aktivitetit, të paktën 500 punonjës kanë mbetur pa punë.

Prokuroria e Durrësit ka nisur zyrtarisht hetimet për veprën penale “Kontrabandë me mallra të ndaluara ose të kufizuara”, lidhur me ngarkesën e nisur nga Porti i Durrësit, ku disa kontejnerë me mbetje toksike kanë marrë udhën.

Sipas njoftimit zyrtar, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës ka regjistruar procedimin penal nr.1596, datë 16.08.2024, mbi bazën e materialeve të referuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave për veprën penale “Kontrabandë me mallra të ndaluara ose të kufizuara”, parashikuar nga neni 171 i K.Penal në lidhje me një ngarkesë të nisur nga Porti i Durrësit.

Gjithashtu në këtë institucion, është referuar materiali hetimor nga Drejtoria Vendore e Policisë Durrës, për veprën penale “Transportimi i mbetjeve”, parashikuar nga neni 201/b i Kodit Penal dhe “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, ku referohen informacione të marra nga media në lidhje me këtë ngarkesë për të cilën dyshohet se ka mbetje toksike.

Në kuadër të këtij procedimi penal, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Durrës bën me dije, se po kryhen veprime hetimore intensive në bashkëpunim me Zyrën Evropiane kundër Mashtrimit Ekonomik (OLAF) dhe institucionet ligjzbatuese shqiptare e partnerët ndërkombëtarë, për të sqaruar në mënyrë të shpejtë dhe të plotë të gjitha rrethanat e ngjarjes.

Në një njoftim të mëparshëm, Dogana shqiptare ka reaguar në lidhje me publikimin e lajmit se në prill Shqipëria i ka dërguar Kinës 115 kontejnerë me mbetje toksike.

Administrate doganore shqiptare sqaron se rasti i cituar nga media nuk është produkt me origjinë nga Republika e Shqipërisë, por një tranzit ndërkombëtar ndërmjet një firme nga Kosova dhe një firme zvicerane pa përfshirjen e asnjë firme nga Shqipëria.

“Rasti i cituar nga media nuk është eksport nga Shqipëria por një tranzit ndërkombëtar i produktit koncentrat zinku nga Kosova. Pra, produkti është koncentrat zinku me origjinë nga Kosova  me firmë dërguese/eksportuese Apelbaum shpk me adresë Rr. Fehmi Agani, Prishtinë/Kosovë; Firma pritëse/importuese është ACHRO AG me bazë në Steinhausen Switzerland”.

Më tej në njoftim thuhet se “firma zvicerane ACHRO AG është urdhëruese sipas BILL OF LOADING (B/L) e kompanisë detare MAERSK për transportin e këtij produkti (LOW GRADE ZINC CONCENTRATE) me destinacion firmën pritëse GUANGXI LOGISTICS INDUSTRY INTERNATIONAL TRADE CO. LTD, NANNING, China”.

“Sa më sipër ritheksojmë se: Nuk është produkt me origjinë nga Republika e Shqipërisë; Nuk është eksport nga Shqipëria por një tranzit ndërkombëtar ndërmjet një firme nga Kosova dhe një firme zvicerane pa përfshirjen e asnjë firme nga Shqipëria. ADSH si në rastet e mëparshëm por edhe në këtë rast, po shkëmben informacion intensiv si dhe po bashkëpunon ngushtë në hetim të përbashkët me OLAF (Zyrën e Luftës kundër Mashtrimeve të BE-së) si dhe organizma të tjera ligj-zbatues”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore