Shqipëria

Konferenca e Parë Ndërqeveritare, Rama: Nëse nuk mbahet edhe këtë herë, do të ecim pa Maqedoninë e Veriut


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, të mërkurën e 16 shkurtit, ka deklaruar se Shqipëria do të ndahet nga Maqedonia e Veriut, nëse edhe pas presidencës franceze nuk do të realizohet mbajtja e Konferencës së Parë Ndërqeveritare.

Duke folur për integrimin evropian të vendit tonë, ai u shpreh se “është e pakuptimtë që ne të presim në pafundësi derisa Bullgaria të lirojë pengun e vet”.

“Kjo mund të vazhdojë pa fund. Është e padrejtë për Shqipërinë që i ka kryer të gjitha detyrat tashmë”, deklaroi Rama nga Washington-i.

Çështja e Konferencës së Parë Ndërqeveritare është e lidhur me Bullgarinë, jo me Brukselin, sipas numrit një të qeverisë, ndaj “është rajonale”.

Por Rama ka vendosur të dëgjojë dhe mendimin e qytetarëve shqiptarë, ndaj tha se nuk do të ushtrojë influencë në vendimmarrjen e qeverisë.

Kryeministri ndodhet në Washington, në kuadër të fillimit të mandatit të Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit, në Kombet e Bashkuara (OKB).

Më 15 shkurt, ai u takua me sekretarin Amerikan të Shtetit, Antony Blinken.

Kryediplomati i Shtëpisë së Bardhë u shfaq i frymëzuar dhe largpamës në statusin e tij në median sociale Twitter, duke deklaruar se “mezi presim 100 vitet e ardhshme”.

“Kënaqësi të prisja kryeministrin shqiptar Edi Rama dhe të festoja 100-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike SHBA-Shqipëri. Mezi presim 100 vitet e ardhshme!”, ishte urimi i sekretarit amerikan.

Kurse më 14 shkurt u mbajt dhe ceremonia zyrtare për mandatin e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit.

Gjatë fjalës së rastit, kryeministri tha se ky mandat “shënon një gur themelor në transformimin e vendit tonë”.

Nga New York-u, Rama theksoi se Këshilli i Sigurimit “duhet të kërkojë arritjen e paqes dhe sigurisë”.

Gjithashtu, edhe vendosjen e drejtësisë dhe llogaridhënies, për të cilën kryeministri tha se “mund të shkojmë drejt pajtimit, që çimenton paqen e qëndrueshme”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore