Kosova

Komunat në hall për shkak të heshtjes së Muratit për të zgjidhur problemet


Foto: Albanian Post

Bllokimi i qarkores së dytë buxhetore, mungesa e grantit të katërt, vonesat e mjeteve nga të hyrat vetanake, mosprocedimi i amandamentit të ligjit për financa lokale, mosvazhdimi i procedimit të amandamentit të ligjit të prokurorimit publik – janë vetëm disa nga problemet aktuale që kanë Komunat e Kosovës të cilat vijnë për shkak të neglizhencës dhe mosdëshirës për të komunikuar nga ana e ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.

Kërkesë pas kërkese ka pranuar vazhdimisht Murati herë nga kryetarët e herë nga Asociacioni i Komunave të Kosovës, e vetmja replikë që kanë marrë në kërkesat e tyre ka qenë se do t’u kthehet përgjigje në secilën çështje që po ngritin.

Përgjigjet s’u kthyen asnjëherë e kjo dërgoi në mungesë të bashkëpunimit mes nivelit lokal dhe atij qendror.

Për këto arsye të gjitha këto çështje aktualisht mbesin të pezulluara, deri në momentin që ministri Murati dëshiron të diskutojë me Komunat për zgjidhjen e këtyre problemeve.

Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, në një përgjigje me shkrim për Albanian Post thotë se ndonëse kërkesën për qarkun e dytë kohor e kanë bërë tash e disa ditë akoma s’kanë pranuar as edhe një përgjigje.

Kufijtë buxhetor të komunave përcaktohen me qarkoret buxhetore – janë dy qarkore e para dhe e dyta.

E dyta është finalja dhe në bazë të saj komunat i planifikojnë shpenzimet për kategori të ndryshme buxhetore.

“Pastaj, komunat me ligj janë të obliguara që buxhetet komunale t’i debatojnë me qytetarë dhe pas debateve këto projeksione buxhetore i paraqiten kuvendeve komunale për miratim”, sqaron Ibrahimi për Albanian Post.

Nëse do të ishte granti i katërt do të kishte barazi në ndarje buxhetore.

“Po të ishte granti i IV nuk do të kishim pabarazi në ndarje buxhetore ndaj komunave. Po të kishte vullnet Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve do ta zgjidhte problemin me mjetet që po i merren komunave për zbatim të kontratave kolektive”.

Kryetari i Asociacionit të Komunave, Sazan Ibrahimi, kryetari i Ferizajit Agim Aliu dhe kryetari i Skenderajt Fadil Nura, foto nga arkivi

Te hyrat vetanake dhe bllokimi i tyre ka qenë problem i vazhdueshëm që Komunat e kanë pasur në udhëheqjen e Qeverisjes Kurti.

Kjo pastaj po shkakton probleme të shumta tek projektet kapitale.

I njëjti dikaster Ibrahimi, thotë se ka bllokuar edhe mundësinë që të bëhen pagesa për projekte të ndryshme.

“Kjo ministri i vonon tejmase transferet e mjeteve nga të hyrat vetanake komunale te komunat dhe pastaj komunat nuk po mund të i zbatojnë projektet  kapitale. Kjo ministri ia ka bllokuar disa komunave xhirollogaritë bankare dhe këto komuna nuk kanë mundur të bëjnë pagesa”.

Ministria e Financave, s’ka proceduar as amendamentin e ligjit për financa lokale e as amendamentin e ligjit të prokurimit publik.

“Me amendamentin e ligjit për financa lokale parashihet edhe granti për shërbime sociale e për të cilat kanë nevojë shumë Qendrat për punë sociale dhe me këtë grant do të mundej të parandaloheshin shumë fenomene negative siç është fenomeni sa i përket dhunës në familje dhe bazë gjinore”.

“Kjo ministri nuk e procedon amendamentin e ligjit të prokurimit publik e që ligji aktual është shumë burokratik dhe i cili ligj po bën që shumë projekte të shtyhen apo në disa raste edhe të mos zbatohen me kohë”, sqaroi Ibrahimi për Albanian Post.

Të gjitha këto probleme nuk u krijuan për një afat të shkurtër.

Edhe më 16 korrik, Komunat kishin kërkuar nga ministria e Punës, Financave dhe Transfereve zhbllokimin e të hyrave vetanake, problem ky me të cilin ishin ballafaquar edhe gjatë vitit të kaluar.

“Bordi i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK) kërkon nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT) që sa më shpejt të bëj bartjen e mjeteve financiare të Komunave nga rritja e të hyrave vetanake nga viti 2023”.

“Këto mjete janë të Komunave dhe duket shumë absurd që mjetet e Komunave të bllokohen nga niveli qendror”, thuhej në komunikatën e tyre.

Ato i kishin bërë ftesë publike ministrit që të ndërmarrë veprimet konkrete ligjore lidhur me këtë çështje.

Të hyrat vetanake komunale të cilat janë mjete financiare që mblidhen nga taksat, tarifat, gjobat, pagesat për shërbimet publike të cilat pastaj dedikohen kryesisht vetëm për komunat dhe investimet në to, vitin e kaluar ka pasur tendenca të merren nga Qeveria e Kosovës.

Por, kryetarët e komunave janë zotuar se nuk do të lejojnë, meqë kjo është në kundërshtim me Ligjin e Financave të Pushtetit Lokal dhe Ligjin e Financave Publike.

Në njoftimin se Qeveria e Kosovës kishte ndarë 742 milionë euro për komunat për vitin 2024, ministri Hekuran Murati, gjithë situatën me ndaljen e të hyrave vetanake e ka trajtuar si një propagandë të opozitës dhe jo problem real.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore