Kosova

Komuna e Prizrenit thotë se zjarri është nën kontroll, banorët e Prevallës alarmojnë se gjendja po përkeqësohet


Pamje nga vendi i ngjarjes

Fshati turistik Prevalla, kohëve të fundit u përfshi nga zjarri, derisa ende nuk dihet për gjendjen në të cilën është ky lokacion turistik, pasi që nga Komuna e Prizrenit pretendojnë se situata është nën kontroll, ndërsa banorët lokalë thonë se gjendja është duke u përkeqësuar.

Në një bisedë për Albanian Post, një banor nga kjo zonë ka treguar se zjarri që nga e enjtja nuk është ndalur, madje mbrëmë tha se rreziku u shtua dhe theksoi që zjarri “është 150 metra afër shtëpive”.

“Zjarri ka filluar më datën 5 gusht, domethënë që nga kjo datë nuk është ndalur asnjë ditë. Mirëpo, nuk pati ndonjë ndërhyrje as prej zjarrfikësve as prej askujt dhe prapë rifillojë. Mbrëmë ka qenë goxha rrezik edhe fshati sepse filluan edhe pishat të digjen”, ka treguar ai për AP.

Ai theksoi se zjarri ka depërtuar edhe te një pjesë e pishave tek Parku Kombëtar. “Ky park i ka disa pisha të veçanta që vijnë turistët enkas për këto pisha”, shtoi.

Banori tregoi se tashmë është vështirë të kalohet kjo gjendje, derisa thekson se institucionet relevante nuk janë duke e menaxhuar mirë këtë situatë.

“Realisht veç kanë ardhur kanë bë foto edhe janë kthyer. Të kish qenë një menaxhim më i mirë, qoftë monitorim bashkë me banorët aty do të mund të shuhej zjarri deri para dy dite. Ata realisht e shpallën një dezinformatë që nuk po digjen pishat, por vetëm bari, sot ka filluar edhe pjesa e Brezovicës edhe me pisha me të gjitha tash janë zjarrfikësit e kanë marr shumë më seriozisht”.

Banori shprehet i bindur se po të ndërmerreshin masa me kohë situata nuk do arrinte deri këtu.

“Katastrofë që nga mbrëmë ka dalë nga kontrolli deri mbrëmë ose pardje ka mundur të shmanget zjarri me një organizim më të mirëfilltë është punë neglizhence vetëm për shkak të neglizhencës ka eskaluar nuk është intervenuar në kohë”.

Ai shpjegon se banorët kanë tentuar të marrin masa vetë për këtë rast, por mungesa përvojës në këso situatash ua ka pamundësuar që të ndalojnë këtë zjarr.

“Ne banorët dolëm 20, 30 persona, por kur nuk ke eksperiencë nuk dinim si të funksionojmë, po të ishte dikush që të na koordinonte qoftë edhe FSK-ja, po të bëheshim 100 persona apo 150 do ta ndalnim pa problem”.

Por, ndryshe nga banori pretendojnë nga Komuna e Prizrenit.

Përmes një postimi në Facebook, nga kjo komunë kanë njoftuar se kryetari Shaqir Totaj, ka zhvilluar të martën një takim me shtabin emergjent për gjendjen me zjarre në Prevallë, derisa kanë thënë se e njëjta është nën kontroll.

“Sot, në mëngjes zhvillova një takim me shtabin emergjent të krijuar për gjendjen aktuale me zjarre të hapura në Prevallë me ç’rast u njoftova se situata është nën kontroll, nuk janë duke u djegur drunjtë e lartë, prandaj, rrjedhimisht rreziku është më i vogël. Gjithsesi, me ekipin tim vizituam sot këtë zonë për ta parë nga afër gjendjen e krijuar”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga Komuna e Prizrenit.

Aty potencohet se gjendja po përcillet dhe shtabi është në koordinim me akterët e autorizuar.

“Meqenëse kemi të bëjmë me Park Nacional, nënkuptohet se edhe institucionet e nivelit kombëtar, por edhe ndërkombëtar si KFOR-i, kanë obligime dhe shtabi është në koordinim të plotë me të gjithë akterët e autorizuar që po merren me këtë çështje, derisa gjendja po monitorohet dhe nuk pritet eskalim”.

Nga komuna theksuan se po planifikojnë “intervenim dhe lokalizim të zjarrit për ta pasur nën kontroll dhe për t’i minimizuar pasojat eventuale”.

Ndërkaq, Agjencia për Menaxhimin Emergjent, ka njoftuar se nuk ka rrezik për jetë dhe pasuri të banorëve nga zjarri i përhapur në parkun nacional të Prevallës.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, në operacion për fikjen e zjarrit përpos zjarrfikësve dhe shpëtuesve nga Prizreni janë angazhuar edhe komunat e tjera si Gjakova, Prishtina dhe Ferizaj.

“Gjithashtu MPB/AME ju njofton se rrezik për jetë dhe pasuri të banorëve në Prevallë nuk ka, deri sa përpjekjet për ta mbajtur nën kontroll dhe të lokalizuar zjarrin vazhdojnë nga kapacitetet e komunës së Prizrenit me Komunat në ndihmë”, thuhet në njoftim.

Në operacion theksohet se janë edhe Policia e Kosovës, pjesëtarët nga parku nacional Prevallë, shërbimi emergjent mjekësor nga Prizreni e të tjerë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore