Shqipëria

“Kompanitë me vizion të vjetruar, koordinimi kërkesë-ofertë i domosdoshëm”


Në raportin vjetor për Shqipërinë nga Komisioni Evropian (KE) dallohen katër faktorë, të cilët janë pengues në konkurrueshmërinë e vendit tonë brenda Bashkimit Evropian: mungesa e njohurive sipërmarrëse dhe teknologjike, niveli i informalitetit, nevojat e paplotësuara për investime në kapitalin njerëzor dhe fizik, si dhe shpenzimet e ulëta për kërkim dhe zhvillim.

Bazuar në këta tregues, eksperti i ekonomisë, Erion Muça, për Albanian Post bën me dije se nismat dhe iniciativat sipërmarrëse mbështeten, por nuk stimulohen.

Sipas tij, “mungon mekanizmi i kthimit të modeleve në të qëndrueshme”.

Më tej, Muça shpjegon se “teknologjia rishtas po shihet prioritet, diktuar dhe nga përdorimi i shtuar në pandemi”.

Lidhur me investimet në zhvillim të kapitalit njerëzor, eksperti thotë se “hapat janë shumë të ngadaltë, sporadikë në ato sipërmarrje, kompani ku ekziston sadopak vizioni dhe emancipimi i të parit dhe trajtimit të punonjësve si motor zhvillimi të sipërmarrjeve”.

Nga ana tjetër, Egli Haxhiraj, avokat i kompanive të huaja në vendin tonë, problemin në fjalë nuk e shikon vetëm në Shqipëri.

Ai e vendos theksin te roli që kanë kompanitë në balancimin e tregut.

Avokat i kompanive të huaja në Shqipëri, Egli Haxhiraj

“Nuk është shteti elementi integrator që bën tregun e punës të lulëzojë, por janë vetë kompanitë. Shumica e kompanive, jo vetëm shqiptare, por edhe evropiane, nuk kanë departamente të kërkimit dhe zhvillimit, ndaj kompanitë rrinë në vendnumëro”.

Të njëjtin mendim me Haxhirajn ndan edhe Muça.

“Mentaliteti i drejtuesve të kompanive të sektorit privat dhe mungesa e politikave të nevojshme, që elementë të konkurueshmërisë duhet t’i kishin prioritet absolut, në fakt i kanë trajtuar si periferike”, thotë ai se është një nga problematikat e konkurrueshmërisë.

Ndërkohë, sipas Haxhirajt, kompanitë pranojnë të operojnë me një teknologji me metoda të vjetra.“Sa u përket indikatorëve të tjerë të ndarjes së njohurive, një nga më kryesorët janë universitetet. Ndërkohë që ne presim që universiteti të jetë instanca më e lartë ku të rinjtë formohen, ai është një institucion i dizajnuar jo për të krijuar inovacion, por për të mësuar metoda jo adekuate”.

Për Muçën, në kompleksitet problemi lidhet me mentalitetin, edukatën, mungesën e kulturës dhe sesi është parë historikisht zhvillimi i sipërmarrjeve në Shqipëri bazuar në përfitimin e shpejtë, fokusin ndaj shitjes dhe neglizhencës së konsolidimit.

Haxhiraj mendon se Shqipëria është një vend ku sipërmarrësit kanë një rol shumë të rëndësishëm, gjithashtu dhe punonjësit.

Por, sipas tij, “problemi është se punonjësit janë të influencuar nga kultura e përgjithshme që rriten”.

Avokati thekson se, “prapambetja e Shqipërisë” vjen nga mënyra komuniste e vlerësimit të punës influencuar nga ajo periudhë.

“Në psikologjinë e masave, qytetarëve, ka hapësira, duke bërë fushata sensibilizuese, duke i treguar që jodomosdoshmërisht një diplomë në juridik, ekonomik do t’i bëjë të lumtur dhe me karrierë afatgjatë. Kurset dhe seminaret janë shumë të rëndësishme”.

Ndërsa, për ekspertin e karrierës dhe punësimit, zhbalancimi midis nevojave, domosdoshmërive dhe politikave të ndjekura “kanë qenë të drejtuara në interesa” dhe “qëllime përfitimi të grupimeve të vogla dhe jo në interes të ndërtimit dhe forcimit të sistemit të funksionimit të tregut të punës dhe ekonomisë”.

Ekspert i karrierës dhe punësimit, Erion Muça

Mjaftueshmëria me arritjet e përftuara dhe vetëkënaqësia për rezultatet është një arsye tjetër, sipas Muçës, “pasqyrë e ambicies së ulët” së sipërmarrjes vendase për t’u zhvilluar.

“Një tjetër rol në këtë proces luan edhe trajtimi i punonjësve si mjete për arritjen e qëllimeve dhe jo si bashkëkontribuues në sukses të kompanive të ndryshme”.

Sa i përket kapitalit njerëzor, për avokatin e njohur Haxhiraj, përfitim të madh kanë nga platformat online.

“Problemi që ekziston sot është koordinimi kërkesë-ofertë midis kompanive dhe personave që kërkojnë punë”.

Haxhiraj propozon zgjidhje që mund të ndihmojë në krijimin e një balance.

“Mund të krijohet një platformë si e-albania, ku të gjithë të rinjtë mund të regjistrohen dhe të njëjtën kohë, meqë janë të regjistruara të dhënat e bizneseve, mund të bëhet një lidhje kërkesë-ofertë”.

Kjo, pasi privati nuk e bën dot për shkak se nuk disponon të dhënat që janë të regjistruara në shtet.

Edhe Muça, e shikon shtetin si iniciues.

“Duhet ndërmarrja e nismave nga ana e shtetit për të pajisur sektorin privat me modele dhe struktura eficiente organizimi dhe funksionimi lidhur me trajtimin kontraktual dhe financiar të punonjësve. Ndërhyrja për të vendosur meritokracinë, me bazë kualifikimin, formimin dhe profesionalizmin për të shtyrë këdo të zhvillohet profesionalisht për t’u pozicionuar sa më mirë në punë”.

Në Shqipëri, ka disa profesione që paragjykohen nga “mania” për të pasur një profesion, siç janë “mjekë, avokatë, politikanë”, ceku avokati.

“Mendoj që shteti mund të nisë fushatë sensibilizimi për thyerje tabuje. Shteti ka shumë për të bërë, por nuk është arsyeja kryesore e ikjes së të rinjve nga Shqipëria”.

Ndërsa, klimën e krijuar, njohësi i ekonomisë e lidh me “me strategjitë frenuese oligopoliste në treg”.

“Interesi”, sipas tij “nuk është konkurrueshmëria e lartë, por kontrolli i lartë dhe vigjilenca në çdo gjë që ndodh duke cenuar lirinë sipërmarrëse”.

Haxhiraj, në fund të fjalës së tij, thotë se të rinjtë nuk ikin vetëm për vendet e punës.

“Është një zgjedhje më komplekse sesa kaq. Ikja është fenomen normal, ka ndodhur në shumë vende të botës. Siç është dhe shprehja e vjetër, ‘askush nuk është profet në vendin e vet’”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore