Shqipëria

KE: Shqipëria progres edhe pas dy goditjeve – mund të përballet me tregun e BE-së


Komisioni Evropian (KE) përmes Drejtorisë së Përgjithshme për Çështjet Ekonomike dhe Financiare ka publikuar raportin vjetor të Shqipërisë, duke vlerësuar progresin e saj dhe nivelin e përgatitjes së ekonomisë shqiptare për t’u përballur me konkurrencën dhe tregun brenda Bashkimit Evropian (BE).

Raporti i cili është publikuar të premten e 19 nëntorit, përmbledh kapitujt ekonomik të raporteve edhe për vendet e tjera të zgjerimit si Bosnjë dhe Hercegovinë, Maqedoni e Veriut, Kosovë, Mali i Zi, Serbi dhe Turqi.

Në thelb, këto raporte vlerësojnë progresin e arritur në secilin prej shteteve. Kjo, lidhur me avancimin e reformave të nevojshme politike dhe ekonomike si dhe transformimin ligjor në përputhje me kriteret e anëtarësimit në BE.

Progresi

“Shqipëria ka bërë njëfarë progresi dhe ka një nivel përgatitjeje në kapacitetin e saj për të përballuar presionin konkurrues dhe forcat e tregut brenda BE-së”, thekson fillimisht raporti.

Sipas saj, treguesit e energjisë dhe transportit, infrastrukturës, përdorimi i komunikimit digjital si dhe rezultatet e arsimit janë përmirësuar, por mbeten boshllëqe të konsiderueshme në nivelet rajonale dhe evropiane.

Konkurrueshmëria e Shqipërisë pengohet nga katër faktorë sipas vërejtjeve të autoriteteve evropiane.

E para është mungesa e njohurive sipërmarrëse dhe teknologjike. Së dyti, raporti ngre shqetësime për nivelet e konsiderueshme të informalitetit.

Në fund, raporti përmend edhe nevojat e paplotësuara për investime në kapitalin njerëzor dhe fizik apo shpenzimet e ulëta për R&D (Kërkim dhe Zhvillim).

Rekomandimet 

Mes rekomandimeve, raporti shton zhvillimin e një plan-zbatimi të Garancisë Rinore.

Ndër të tjera, KE-ja cek edhe nevojën e mjeteve të institucionalizuara për monitorim të nevojës për aftësi në tregun e punës.

Më tej, raporti nënvizon edhe krijimin e mekanizmave efektivë të konsultimit me bizneset dhe partnerët socialë.

Sipas tyre, kjo do të përmirësojë aksesin në financa dhe njohuritë sipërmarrëse.

“Riorientimi i përbërjes së shpenzimeve publike drejt zhvillimit të kapitalit njerëzor dhe inovacionit”, është një rekomandim tjetër që zbulon raporti i KE-së.

Masat e duhura

“Shqipëria ka bërë disa përparime dhe është mesatarisht e përgatitur për zhvillimin e një ekonomie tregu funksionale”, ravijëzon raporti.

KE-ja sjell në vëmendje goditjen e dyfishtë të ekonomisë shqiptare nga tërmeti i nëntorit të vitit 2019 dhe pandemisë COVID-19.

Sipas tyre, PBB-ja e Shqipërisë u tkurr në vitin 2020, edhe pse më pak nga sa pritej fillimisht.

Bllokimi i brendshëm dhe ndërkombëtar, shkaktuar nga pandemia shkaktuan humbje të mëdha në turizëm dhe prodhim, por kushtet ekonomike filluan të përmirësoheshin në gjysmën e dytë të vitit.

“Brenda kufirit fiskal dhe hapësirës së politikës monetare, qeveria dhe banka qendrore morën me shpejtësi veprimet e duhura për të mbështetur biznesin, ekonomitë familjare dhe sektorin e shëndetësisë”, vijon raporti.

Kjo zbuti ndikimin në tregun e punës duke ruajtur makroekonominë dhe stabilitetin e sektorit financiar.

Raporti gjithashtu përmendi rritjen e raportet të borxhit publik dhe deficitit apo rritjen e cënueshmërisë e vendit ndaj goditjeve të jashtme.

Ekonomia e tregut

Lidhur me rekomandimet për përmirësimin e funksionimit të ekonomisë së tregut në Shqipëri, KE-ja ndalet në tre pika.

Fillimisht, ata rekomandojnë autoritetet shqiptare që të parashikojnë një plan fiskal afatmesëm.

Kjo, sa i takon një uljeje graduale të raportit të borxhit publik duke filluar nga viti 2022 dhe fillimin e zbatimit të një strategjie afatmesme të të ardhurave.

Në vijim, KE-ja vë theksin te zbatimi i reformës së procedurave të menaxhimit të investimeve publike.

Në përmbyllje, ata rekomandojnë zhvillimin e një strategjie gjithëpërfshirëse për të trajtuar të gjitha aspektet e informalitetit.

Borxhi dhe deficiti

Borxhi dhe deficiti publik i Shqipërisë u rritën ndjeshëm për shkak të pandemisë COVID-19 në vitin 2020 dhe parashikohen të mbeten në nivele të larta edhe në vitin 2021.

Në përgjigje të goditje e dyfishtë nga tërmeti i nëntorit 2019 dhe pandemia, buxheti i vitit 2020 u ndryshua katër herë dhe rezultoi në një rritje të madhe të borxhit dhe deficitit.

Në vitin 2020, qeveria shpalli gjendjen e jashtëzakonshme dhe zbatoi klauzolën e ligjit të buxhetit, për të lejuar një rritje të raportit të borxhit ndaj PBB-së dhe të deficitit.

Në korrik 2021, qeveria ndryshoi për të tretën herë buxhetin e vitit 2021 me akt normativ duke rritur kryesisht shpenzimet kapitale dhe deficitin.

Për të mbuluar nevojat e rritura të financimit të jashtëm dhe buxhetor, qeveria kërkoi dhe mori mbështetje financiare nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (174 milionë euro nga Instrumenti i Financimit të Shpejtë) dhe nga BE-ja.

BE disbursoi këstin e parë prej 90 milionë eurosh nga 180 milionë euro të ndihmës makrofinanciare më 31 mars.

Gjithashtu, Shqipëria emetoi një eurobond prej 650 milionë eurosh në qershor 2020 dhe po përgatit vendosjen e një eurobondi tjetër në vitin 2021.

Stabiliteti makroekonomik

Ekonomia u tkurr me 3.8% në vitin 2020 në vazhdën e krizës COVID-19, më pak se sa ishte parashikuar fillimisht.

Rritja ekonomike ishte mesatarisht 3.1% në vitet 2015-2019, e nxitur nga eksportet – në veçanti turizmi, dhe nga konsumi privat, i nxitur nga rritja e punësimit në sektorin e lulëzuar të shërbimeve, por edhe në prodhim.

Në vitin 2020, pandemia goditi këta nxitës të rritjes dhe konsumi privat ra me 2.3%.

Eksportet dhe importet regjistruan rënie të ndjeshme përkatësisht me 25.6% dhe 20%, kryesisht për shkak të kufizimeve ndërkombëtare sollën humbje të mëdha në turizëm.

Megjithatë, ekonomia u dëshmua më elastike se sa pritej fillimisht për shkak të rritjes së bujqësisë, rindërtimit pas tërmetit dhe rritjes së rolit të turizmit rajonal, si dhe mbështetja në kohë për biznesin dhe familjet.

Një rikuperim i moderuar që filloi në gjysmën e dytë të vitit 2020, u forcua në vitin 2021 me një rritje prej 5.5% të PBB-së në tremujorin e parë.

E mbështetur kjo nga prodhimi i lartë i energjisë hidroelektrike, ndërtimi dhe rimëkëmbja e prodhimit.

Treguesit afatshkurtër sinjalizuan një rikthim të shërbimeve të lidhura me turizmin në përgjigje të kërkesës së fortë nga turistët rajonalë dhe vendas duke përforcuar rimëkëmbjen në tremujorin e dytë.

Politika “të përshtatshme”

Mbështetja e politikës fiskale dhe monetare kufizoi ndikimin social dhe ekonomik të pandemisë COVID-19. Shpenzimet e rindërtimit pas tërmetit kanë ndihmuar rimëkëmbjen ekonomike që prej gjysmës së dytë të vitit 2020.

Duke pasur parasysh hapësirën e kufizuar të politikës fiskale dhe monetare, përzierja e politikave makroekonomike në përgjigje të goditjes së dyfishtë ka qenë e përshtatshme.

Digjitalizimi në rritje i shërbimeve publike ndihmoi në uljen e barrës së nivelit administrativ mbi bizneset si dhe të korrupsionit dhe informalitetit.

Shqipëria ka vazhduar me lehtësimin e procedurave të regjistrimit të biznesit dhe licencimit përmes portaleve elektronike të qeverisjes.

Pagesat e taksave online reduktuan mundësitë për korrupsion – duke pasur më pak takime kokë më kokë me nëpunësit tatimorë.

Zbatimi i faturimit elektronik (“Fiskalizimi”) në vitin 2021 e përforcoi këtë zhvillim. Megjithatë, ekonomia informale mbetet e madhe – vlerësohet se përbën rreth një të tretën e PBB-së.

Progresi në përmirësimin e sigurisë ligjore për bizneset ka qenë i përzier, ndërkohë që shqetësimet për zbatimin efektiv të legjislacionit dhe strategjive vazhdojnë.

Për të adresuar ndikimin e COVID-19, qeveria siguroi rreth 2.6% të PBB-së për të mbështetur bizneset, familjet dhe sektorin e kujdesit shëndetësor në vitin 2020.

Pas vitesh përmirësimi të vazhdueshëm në pjesëmarrje, punësim dhe normat e papunësisë, të gjithë treguesit e tregut të punës u përkeqësuan në vitin 2020, por mbeti më mirë se nivelet e vitit 2018.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore