Shqipëria

‘Kompani me mjete lundruese’, Çuçi: Berisha do të keqpërdorë ngjarjen tragjike për hallet politike


Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi ka reaguar lidhur me akuzat që u ngritën një ditë më parë nga kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha për një kompani mjetesh lundruese në pronësi të tij.

Kjo e lidhur me tragjike që ndodhi në Himarë mesditën e 2 gushtit, kur një vajzë 7-vjeçare u përplas nga një skaf dhe humbi tragjikisht jetën.

“Ka një përpjekje për të prodhuar fakte që të ilustrojnë akuzat e gatshme të Sali Berishës ndaj meje pas tragjedisë së fundit në Himarë. Për respekt të opinionit publik, që me të drejtë është i ngarkuar nga tragjedia e vajzës 7-vjeçare dhe dhimbja e familjes së saj, dua të sqaroj se sajesat me emrin tim dhe një shoqatë velierash sportive që kam krijuar me miq pasionantë të tyre, nuk kanë lidhje me asnjë biznes dhe aq më tepër me skafe apo gomone”, e nis Çuçi reagimin e tij.

Ministri më tej vijon duke thënë se i hedh poshtë “me neveri këto sajesa, pasi duan të keqpërdorin në mënyrë të neveritshme këtë ngjarje tragjike, për ta mbajtur gjallë për hallet e tyre politike”.

“Gjatë këtyre ditëve të rënda për çdo shqiptar, por veçanërisht për familjen e vajzës dhe për ne që jemi përgjegjës për sigurinë e jetës së tyre, jam përpjekur të flas me veprime konkrete kundër fajtorëve të asaj tragjedie, të cilët tani janë para drejtësisë, përfshirë gjithashtu dhe të gjithë zinxhirin komandues të Policisë Kufitare Vlorë”.

Ai thekson se kjo është rruga e duhur për të respektuar dhimbjen e familjes së vajzës dhe të afërmve të saj.

“Rruga për t’u përballur me baltën e Sali Berishës është 30-vjeçare dhe nuk më sfidon. Thjesht e kemi detyrim ndaj shqiptarëve të ndajmë fatin e Shqipërisë nga fati dhe balta e tij”.

Ngjarja ka shkaktuar revoltë të madhe në opinionin publik, për më tepër që autori është një oficer i Policisë së Shtetit, tashmë i pezulluar nga detyra deri në një hetim të plotë të ngjarjes.

Me kërkesën e qartë për largimin e ministrit të Brendshëm, Bledar Çuçi, si edhe asaj të Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, shoqëria civile dhe një grup qytetarësh nisën dje një protestë përballë Ministrisë së Brendshme, nën moton “Nuk e vrau varka, por shteti”.

Çfarë ndodhi?

Ata ishin me origjinë nga Tropoja, por prej vitesh jetonin në Kanada. Vajza 7-vjeçare pati lindur atje dhe pushimet e këtij vitit, kishin vendosur t’i kalonin në Himarë.

Ndoshta gjithçka do të mbetej një kujtim i bukur, po të mos ishte për tragjedinë që e goditi familjen Avdia, kur të tre pjesëtarët e saj, u goditën nga një mjet lundrues, i cili doli në breg të detit.

Prindërit, dikush më lehtë e dikush më rëndë, mbetën të plagosur. E mitura – me flokë të arta siç e përshkruajnë dëshmitarët e horrorit në bregdet – mbeti e vdekur në vend.

E gjithë kjo, nga dora e një efektivi të Policisë së Shtetit, i cili ushtronte detyrën e shefit të Seksionit të Policimit në Komuniteti pranë Komisariatit të Policisë Elbasan.

Arian Tase, nga një funksionar publik, ishte kthyer në personin, i cili i mori jetën një vajze 7-vjeçare në rivierën shqiptare.

Nga pakujdesia apo tjetër gjë, kjo mbetet për t’u hetuar nga organet kompetente.

E sigurt është se ai u arrestua menjëherë dhe u pezullua nga detyra prej drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Gledis Nano, deri në një hetim të plotë e të pakushtëzuar prej organeve përkatëse.

Babai i vajzës, menjëherë pas ngjarjes, është konfrontuar me Taren, por i pafuqishëm të përballojë situatën dhe humbjen e vajzës, ka rënë në gjunjë në vajtim.

Pushuesit rreth e rrotull, kanë filmuar gjithçka.

Një ngjarje kjo, e cila është e përsëritur gjatë këtij viti, edhe pse në fatalitet ka kaluar për herë të parë.

Gjatë muajve të shkuar, skenarë thuajse identikë kanë ndodhur me mjete të tjera lundruese, të cilat kanë dalë në breg me shpejtësi të plotë dhe kanë goditur pushuesit në çadrat e tyre.

Fati më i keq këtë radhë, ka prekur familjen Avdia, të cilët kanë humbur vajzën e tyre, duke kaluar nga pushimet në një ferr të vërtetë.

Masat ndërkohë, ende priten, me një reagim të thelluar të strukturave shtetërore, për të bërë që bregdeti, të mos përgjaket më si Himara.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore