Shqipëria

Komiteti i Helsinkit kundër mbylljes së kolegjit ‘Mehmet Akif Ersoy’


Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka reaguar nëpërmjet deklarate për shtyp lidhur me procedurat e autoriteteve për mbylljen e kolegjit turk.

Sipas tij, procedurat e autoriteteve për mbylljen e Kolegjit Turk “Mehmet Akif Ersoy” nuk përmbushin standardet e procesit të rregullt, duke rezultuar me dhënien e një masë të ashpër, të nxituar, jo proporcionale dhe me pasoja të dëmshme.

“KShH vlerëson se në rastin e mbylljes së këtij institucioni arsimor privat para universitar, nuk janë respektuar standardet e procesit të rregullt që kërkon neni 42 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Në vendimin nr. 25, datë 10.05.2021 të Gjykatës Kushtetuese theksohet se e drejta për proces të rregullt ligjor nuk kufizohet vetëm në procesin gjyqësor, por përfshin edhe atë me karakter administrativ”.

Sipas tyre, me këtë Vendim të Këshillit të Ministrave, tërheq vëmendjen fakti që në të përmenden vetëm detyrimet e institucionit arsimor parauniversitar privat dhe jo arsyet apo motivet konkrete si dhe shkeljet e ligjit që kushtëzuan miratimin për mbylljen e kësaj shkolle.

“Ky vendim nuk përmbush standardet thelbësore të arsyetimit, si një akt administrativ me pasoja për palët, por edhe për nxënësit dhe prindërit e tyre që i kanë besuar Fondacionit edukimin dhe arsimimin e tyre”.

Kujtojmë se disa ditë më parë, prindërit e fëmijëve të këtij institucioni firmosën një peticion dhe e dorëzuan në MAS për anulimin e vendimit.

Një javë më parë, Këshilli i Ministrave i Shqipërisë vendosi mbylljen e veprimtarisë së institucionit arsimor privat parauniversitar kolegjit “Mehmet Akif Ersoy”.

Në vendim thuhej se miratimi është marrë me propozimin e ministres së Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, dhe është firmosur nga zëvendës kryeministrja, Belinda Balluku.

Qeveria i kërkon fondacionit që të paguajë të gjitha detyrimet për nxënësit që do të transferojnë programin mësimor.

Vendimi detyron drejtorinë arsimore të krijojë një grup pune brenda 3 ditësh për të mbyllur shkollën private si dhe të kujdeset për transferimin e nxënësve në shkolla të tjera.

Nxënësit e kolegjit privat ‘Mehmet Akif’, protestuan më 26 shtator me pankarta në duar para Kryeministrisë kundër mbylljes së shkollës.

“Mbyll një derë shkolle, hap një derë burgu”, “Po godisni brezin e ardhshëm”, shkruhej në pankartat e tyre.

Një reagim ndaj protestës ka ardhur nga Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ku përmes një postimi në Twitter shprehet se “nxënëset e shkollës së mbyllur të protestojnë kundër pronarëve që shitën godinën e shkollës dhe e spostuan aktivitetin gjetkë, pa marrë leje sipas ligjit e pa respektuar rregullat e parashikuara ligjërisht”.

Sipas tij, Ministria e Arsimit dhe Sportit ka zbatuar ligjin si në raste të tjera.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore