Shqipëria

Komisioni miraton me konsesus projektligjet për rritjen e pagave


Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut miratoi me konsesus të premten e 19 majit dy projektligjet e paketës ligjore të hartuara nga qeveria që synojnë rritjen e pagave për administratën dhe institucionet e tjera kushtetuese dhe të pavarura.

Paketa ligjore e cila u diskutua të premten në komisionin e ligjeve, nuk parashikon rritje të pagës për deputetët dhe ministrat.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, deklaroi gjatë diskutimeve se nga ligji përfitojnë 250 funksionarë politikë, të cilët pagën e kanë të lidhur me atë të presidentit.

Sipas saj, efekti financiar përllogaritet në 20 milionë lekë dhe shtrihet në dy vite.

Pra, paga e presidentit rritet në 425 mijë lekë, nga 257 mijë që është aktualisht.

“Koeficientët, që lidhen me Kuvendin dhe Qeverinë, ato janë përjashtuar pa ndryshuar nivelin aktual të pagave, për ta parë në një moment të dytë. Grupet e prekura indirekt janë administrata qendrore dhe vendore. Kostoja totale e kësaj politike 39 miliardë lekë në 1 janar 2025. 1 miliard lekë, efekti i zbatimit të vendimit të GJK-së për vitin 2023”, u shpreh Ibrahimaj.

Komisioni i Ligjeve i sugjeroi në përmbyllje Komisionit të Ekonomisë gjithashtu rishikimin e koeficentëve të hierarkisë së pagave.

Kjo, duke marrë parasysh se Kuvendi është institucioni më i rëndësishëm në vend.

Reagimet

Më 8 maj, deputeti demokrat Sali Berisha, kërkoi urgjentisht mbledhjen e Parlamentit të Shqipërisë, për të votuar menjëherë ligjin për rritjen e rrogave të qytetarëve, i cili pavarësisht se është paraqitur si nismë nga kryeministri Edi Rama, ende nuk ka kaluar në votim.

Kjo, si pasojë e mosdakordësisë nga disa deputetë për të votuar pro, nën argumentimin se edhe pagat e vetë deputetëve, duhet të rriten njëkohësisht.

Këtë thirrje urgjente, Berisha e ka quajtur “jo një shtrirje dore për Ramën”, por një dobi për qytetarët, të cilët sipas tij nuk mbyllin dot as muajin.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, do të akuzonte më 5 maj deputetët – përfshi ata të Partisë Socialiste – për shtyrjen e hyrjes në fuqi të vendimit për rritjen e pagave në vend.

Sipas kreut të Qeverisë, fakti është se ka pasur një debat të brendshëm, ku ai ka propozuar që pagat për deputetët, sipas indeksimit, të rriten në një periudhë më të vonë.

Mirëpo, vetë këta të fundit, kishin kërkuar që rritja të jetë e menjëhershme edhe për ta.

Kujtojmë që të enjten e 20 prillit Këshilli i Ministrave në Republikën e Shqipërisë miratoi projektligjin për përcaktimin e kompetencave për trajtimin e pagave.

Ky projektligj i hapte rrugën përcaktimit të disa kategorish pagash që do të marrin disa bonuse.

Po ashtu, ka nisur puna dhe janë miratuar disa projektvendime për rritjen e pagave në disa fusha: në shëndetësi, arsim dhe siguri.

Konkretisht ministrja e Financave dhe Ekonomisë shprehej se në kuadër të rritjes së pagave, pozicionet e caktuara duhet të jenë konkurruese si brenda dhe jashtë vendit.

Ajo theksoi sërish se kjo rritje do të jetë e ndarë në dy faza.

“Pra rriten me pagat e vitit 2023 ndërsa do të ketë rritje edhe në vitin 2024. Kostoja vjetore e cila e plotë do të jetë për vitin 2025 e rritjes së pagave është në nivelin 38 miliardë lekë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore