Shqipëria

Komisioni i Venecias shqyrton më 14 tetor zgjedhjet e 2019-ës


Komisioni i Venecias do të shqyrtojë më 14 tetor 2021 kërkesën nga Gjykata Kushtetuese mbi kushtetutshmërinë e zgjedhjeve të 30 qershorit të vitit 2019.

Gjykata Kushtetuese ka pezulluar gjykimin dhe vendosi t’i drejtohet Komisionit të Venecias për të marrë mendim lidhur me padinë e Shoqatës së Bashkive, e cila kërkon pavlefshmërinë e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit.

Trupa gjykuese u ka kërkuar palëve në gjyq të dërgojnë nga një pyetje që t’i adresohet Komisionit të Venecias.

Pse iu drejtua Venecias?

Gjykata Kushtetuese ka shpjeguar vendimin e saj për të kërkuar opinion nga Komisioni i Venecias, lidhur me kushtetutshmërinë e zgjedhjeve të 30 qershorit të vitit 2019.

Organi më i lartë juridik në vend, përmes një komunikate për media, ka lënë të kuptohet se ka vendosur ta sqarojë situatën, pasi ka parë “keqinterpretime dhe keqinformim” të opinionit publik lidhur këtë çështje.

“Gjykata, duke shprehur shqetësimin e saj rreth keqinterpretimeve dhe keqinformimit në lidhje me këtë vendimmarrje, ndjen për detyrë institucionale të informojë”.

Sipas Kushtetueses, ky vendim është i ndërmjetëm dhe mbështetet në nenin 44/b të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i shtuar në kuadër të ndryshimeve të reformës në drejtësi.

“Objekti dhe çështjet për të cilat u vendos të kërkohet ky opinion janë të ndryshme nga çështjet e trajtuara në opinionet e mëparshme të Komisionit të Venecias, të cilat Gjykata Kushtetuese pa dyshim i mban gjithmonë në konsideratë”.

Në njoftim thekson se ky është rasti i vetëm i përdorimit të këtij instrumenti, meqë vlerëson se “çështja mbi procesin zgjedhor të datës 30.06.2019 është e një natyre unike dhe këshillimi me organe të specializuara” është konsideruar të jetë i nevojshëm.

Gjykata konstaton se “debati jokonstruktiv i ditëve të fundit jo vetëm që nuk i shërben kësaj klime besimi, por mund të perceptohet si përpjekje për ta përfshirë atë në debate me ngjyrime politike”.

Seanca e 23 qershorit

Gjykata Kushtetuese mori në shqyrtim të mërkurën e 23 qershorit, kërkesën e shoqatës së Bashkive për shfuqizimin si antikushtetuese të zgjedhjeve vendore të 30 qershorit dhe ripërsëritjen e tyre.

Në nisje të seancës, Këshilli i Ministrave kërkoi pezullimin e procesit, derisa në Gjykatën e Tiranës të zgjidhej konflikti i lindur mes Voltana Ademit dhe Pjerin Ndreut, për kryesimin e shoqatës, si dhe njëherazi që pjesë e procesit të ishte edhe Shoqata për Autonomi vendore. Të dyja kërkesat u rrëzuan nga shtatë gjyqtarët kushtetues.

Në vijim, seanca plenare u ndërpre për një orë, duke iu dhënë mundësinë palëve për të njohur me dokumentet.

Pala paditëse, me në krye Voltana Ademin, është parë mjaft optimiste pas përfundimit të seancës për këtë vendim duke thënë se “ka shpresa se Gjykata Kushtetuese do ta pranojë kërkesën e Shoqatës së Bashkive dhe do të rrëzojë zgjedhjet e 30 qershorit të 2019”.

Vendimi për zgjedhjet e 30 qershorit do të vonohet në kohë dhe do të mund të jepet pas marrjes fillimisht të opinionit të “Venecias”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore