Shqipëria

Komisioni i Rithemelimit: Basha nuk mposht dot shumicën duke ndërruar brava e dyer


“Deputeti Lulzim Brava e nisi Vitin e Ri me avazin e vjetër të izolimit. Pasi izoloi veten nga 4446 delegatë dhe 43 mijë e 385 anëtarë që firmosen shkarkimin e tij ai ka vendosur në prag të protestës paqësore të demokratëve ta kthejë shtëpinë e tyre ne bunkerin e vetmisë dhe pazareve te tij”.

Kështu e ka nisur deklaratën Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit të Partisë Demokratike, duke denoncuar kryedemokratin Lulzim Basha, ku sipas tyre, po ndërron bravat dhe po vendos dyer te blinduara në selinë blu.

Një ditë para ultimatumit të ish-kryeministrit Sali Berisha ndaj Bashës, që ky i fundit të lirojë zyrën, Komisioni i Rithemelimit thekson se “me këtë rast i kujtojmë Lulzim Bravës që mendon se me dyer dhe brava do të mposhte shumicën dhe pluralizmin në Shqipëri se ata që shemben regjimin më gjakatar në ‘90 nuk do të lejojnë kurrë asnjë derë brave, hekur apo shul të mbajë peng vullnetin e tyre të shprehur përmes votës së lirë”.

Ata shtuan se “në një akt turpi dhe paniku të denjë vetëm për një apartcik të marrë peng ai ndërron brava dhe po vendos dyer të blinduara për të shndërruar shtëpinë e demokratëve, selinë e PD-së, në bunkerin e tij privat”.

Një ditë më parë, Basha bëri një lëvizje në seli, duke vendosur në dyer e xhama, logon historike të Partisë Demokratike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore