Shqipëria

Komisioni hetimor për zgjedhjet nis punë menjëherë


Parlamenti i Shqipërisë

Komisioni hetimor i ngritur me kërkesë të Partisë Demokratike, pritet të fillojë punë zyrtarisht të hënën e 18 tetorit, me seancën e parë, e cila do të mbahet në orën 15:00.

Ndërkohë që emrat e demokratëve, pjesë të komisionit, ishin bërë më parë të ditur, tashmë bëhen me dije edhe emrat nga mazhoranca.

Për sa i përket anëtarëve jashtë dy grupeve të mëdha parlamentare, do të jetë Petrit Vasili, i 15-i anëtar, nga radhët e Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Shtatë deputetë socialistë, do të jenë pjesë e komisionit.

Toni Gogu, Klotilda Bushka, Blerina Gjylameti, Aurora Mara, Klevis Xhoxhi, Nasip Naço, Petro Koçi dhe Bardhyl Kollçaku, do të jenë emrat nga radhët e socialistëve.

Komisioni u miratua më datë 14 tetor, në seancën plenare të zhvilluar. Të dyja palët e mbështetën ngritjen e hetimit të zgjedhjeve të 25 prillit me kërkesë të demokratëve.

Ngritja e komisionit

Partia Socialiste e pati bërë të qartë që më 11 tetor, se për ngritjen e komisionit hetimor për pretendimin e “masakrës zgjedhore” nga ana e demokratëve, do ta kalonte në Kuvend.

Kreu i Grupit Parlamentar të të majtëve, Taulant Balla, ishte ai, i cili qartësoi qëndrimin e socialistëve mbi çështjen.

Kreu i Grupit Parlamentar socialist, Taulant Balla

Më 1 tetor, nënkryetarja e Partisë Demokratike, Grida Duma, pati njoftuar se demokratët do të kërkonin ngritjen e tre komisioneve hetimore.

Nënkryetarja e Partisë Demokratike, Grida Duma

Ky i zgjedhjeve, ishte i pari që u pranua. Pritet që në seancën e ardhshme, të votohet pro edhe për komisionin hetimor mbi “Inceneratorët”.

Ndërsa ngritja e një komisioni për shqyrtimin e çështjes Becchetti, nuk u pranua nga mazhoranca.

Ky i “masakrës zgjedhore” është komisioni i parë që do të nisë zyrtarisht punë. Periudha e caktuar është prej tre muajsh.

Nëse demokratët nuk arrijnë të verifikojnë shkelje në proces, atëherë një ndër kauzat e tyre më të mëdha në opozitë, do të bjerë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore