Lajme

Komisioni Evropian: Në takimin Kurti – Vuçiç do flitet për të gjitha temat e hapura


Komisioni Evropian

Komisioni Evropian ka njoftuar se të enjten, në takimin mes Albin Kurtit dhe Aleksandër Vuçiç, në Bruksel “duhet dhe do të diskutohen të gjitha çështjet e hapura”, por theksohet se “nuk është e mundur të spekulohet për rezultatet e dialogut”.

Gjithsesi, zëdhënësja e KE-së, Nabila Masrali, deklaroi se Komisioni do të njoftojë së shpejti se cilat tema saktësisht do të jenë në tryezën e bisedimeve mes kryeministrit të Kosovës dhe Presidentit të Serbisë.

Ajo theksoi gjithashtu se “për BE-në është më e rëndësishme që të dyja palët të ndalojnë armiqësitë, me mesazhe nxitëse dhe tensione dhe të veprojnë me përgjegjësi”.

“Është temë e dialogut, po vijnë përfaqësues të palëve dhe do të shohim se cili do të jetë rezultati dhe nuk mund të spekuloj për këtë”, tha Masrali.

Aleksander Vucic dhe Albin Kurti

Ndërsa, Ana Pisonero, tjetër përfaqësuese e Bashkimit Evropian për media, është pyetur për mos-respektimin e kërkesës së BE-së për Serbinë, që t’i vë sanksione Rusisë.

Por, ajo zgjodhi vetëm të thotë se BE e ka mirëpritur faktin që Serbia ka votuar pro rezolutave që në Organizatën e Kombeve të Bashkuara ka dënuar agresionin rus kundër Ukrainës.

Në anën tjetër, Kurti e Vuçiç, dy personat që do takohen mes vete, kanë pasur pikëpamje krejtësisht të ndryshme për atë se çfarë presion të dialogojnë.

Derisa në njërën anë Kurti thotë se po shkon për të diskutur mbi marrëveshjen finale që në qendër ka njohjen, Vuçiç në anën tjetër ka pohuar se në Bruksel do të flas për Asociacionin e Komunave me Shumicë serbe.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore