Shqipëria

Komisioni antikorrupsion ndan detyrat, përcaktohen institucionet që do të caktojnë ekspertët


Sekretariati teknik i Komisionit të Posaçëm Antikorrupsion këtë të martë të 18 qershorit ka zhvilluar mbledhje.

Nën drejtimin e kryetarit Fatmir Xhafaj janë ndarë disa detyra që lidhen me punën organizative të komisionit dhe zbatimin e vendimeve që u morën në mbledhjen e parë të tij.

Kështu sipas informacioneve paraprake, sekretariati është duke përgatitur shkresat që do të dërgohen pranë institucioneve të pavarura që krijohen dhe japin llogari te Kuvendi (Avokati i Popullit; Kontrolli i Lartë i Shtetit; Komisioni i Prokurimit Publik; Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave; Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare; Autoriteti i Konkurrencës; Instituti i Statistikave).

Kjo për të përcaktuar ekspertët dhe përfaqësuesit që do të punojnë me tre nëngrupet e Komisionit të Posaçëm: Mirëqeverisja, Sundimi i Ligjit dhe Antikorrupsioni.

Gjithashtu do të ketë kërkesa zyrtare nga komisioni për organizatat e shoqërisë civile, institucionet akademike publike e private, si dhe një ftesë për organizatat ndërkombëtare për bashkëpunim, asistencë dhe ekspertizë.

Komisioni i Posaçëm anti-korrupsion do të ketë 11 anëtarë, nga të cilët 6 janë përfaqësues të shumicës parlamentare dhe 5 përfaqësues të pakicës parlamentare, me një afat fillestar 10 mujor.

Sipas projektvendimit të publikuar një ditë para votimit në seancë plenare, anëtarët do të jenë kryetarët dhe zëvendës kryetarët e 4 komisioneve të përhershme parlamentare dhe ata të Këshillit të Integrimit Evropian.

Gjithashtu thuhet se pranë Komisionit të Posaçëm, për të realizuar një proces sa më gjithëpërfshirës e transparent, do të ngrihet dhe funksionojë grupi i punës i ekspertëve vendas dhe ndërkombëtarë me përfaqësues të propozuar nga institucionet e drejtësisë, institucionet e pavarura dhe agjencitë ekzekutive ligjzbatuese, administrata publike, bota akademike, universitetet publike dhe jopublike, institute e organizata të shoqërisë civile dhe medias, si edhe organizata të sipërmarrjes, etj.

Ekspertët do të angazhohen në funksion të temave përkatëse, që lidhen me fushat e tyre të veprimtarisë në procesin e kryerjes së analizës dhe hartimin e Planit Kombëtar të Veprimit si dhe propozimin e masave përkatëse legjislative e institucionale.

Numri dhe përbërja e grupit të ekspertëve miratohet me vendim të komisionit.

Komisioni mund të ftojë për konsultime për çështje specifike edhe agjenci dhe ekspertë të tjerë vendas e ndërkombëtarë të mirënjohur në fushat përkatëse.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore