Film

Komedia politike “Swiss Connection” e Jeton Neziraj me premierë në Zürich


Adrian Morina dhe Nina Mariel Kohler gjatë provave

Komedia “Swiss Connection” e dramaturgut Jeton Neziraj, do të ketë premierën botërore, këtë të shtunë, në teatrin Winklewiese në Zurich, të Zvicrës.

Me regji të Manuel Bürgin dhe aktorë: Aurita Agushi, Nina Mariel Kohler, Adrian Morina dhe Christoph Rath, kjo komedi krimi flet për një grup idealistësh, të cilët në vitet 90-ta, nga nëntoka e Zvicrës planifikuan çlirimin e Kosovës dhe krijuan aleancë ushtarake me NATO-n.

Aktorët gjatë provave

Jeton Neziraj, në këtë shfaqje zbulon botën misterioze të kësaj lëvizjeje çlirimtare dhe bashkon neutralitetin zviceran me bombat që eksplodojnë, dhurimin e milionave për çështjen dhe planifikimin “symbyllurazi” të luftës.

“Në shfaqje, këmbëshpejti, personazhi i dramës sonë, bënë një jetë të dyfishtë në Cyrih. Ai është martuar me zviceranen Sara. Dhe derisa ditën pjekë bukë, natën ndërsa mobilizon bashkatdhetarët e tij për ‘çështjen kombëtare’. Ai prandaj përndiqet nga shërbimi sekret jugosllav. Kur Sara, gruaja e tij, i kupton të gjitha këto, situata komplikohet”, shpjegon Neziraj për Albanian Post.

Dramaturgu Jeton Neziraj

Teksa për skenografinë dhe kostumet e shfaqjes është kujdesur Luisa Beeli, muzikën e ka komponuar Dominik Blumer, kurse dramën në gjermanisht e ka përkthyer Zuzana Finger.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore