Muzikë

Komedi apo tragjedi? “Drama” mbi batutat e Albano Bogdos kundrejt Alban dhe Beatrix Ramosaj


Pas disa ditësh “paqe” në sferën e showbizit vendor pa drama e skandale, qetësisë i erdhi fundi.

Kësaj radhe ishte komediani, Albano Bogdo ai që trazoi ujërat me batutat e tij, me apo pa vend – këtë e gjykoni ju më së miri.

Kësisoj, Bogdo, i cili deri para pak kohësh ishte i angazhuar si aktor humori në emisionin “Klanifornia”, tanimë është paraqitur në rolin e prezantuesit televiziv në emisonin e tij “Albano Show”.

Nuk dihet nëse ishte strategji marketingu që emisioni të bënte bujë, por komediani e filloi puntatën e parë duke bërë batuta ironizuese mbi tërheqjen nga muzika të rep artistit, Fero si dhe këngëtarit, Alban Ramosaj (minuta e gjashtë).

“E dini çfarë do të thotë të tërhiqet Fero nga muzika, është njësoj si të tërhiqet nga muzika Alban Ramosaj. A e dini se kush është Fero? Fero është një ‘repist’ (në mediat sociale, u pretendua se theksimi i fjalës i ngjante të njëjtës fjalë në gjuhën angleze që do të thotë ‘dhunues’)”, thotë Bogdo në emisionin e tij.

Por, akoma më i ashpër, komediani u tregua me Albanin për motrën e të cilit, Beatrix Ramosajn, nuk i kurseu edhe fjalët më ofenduese.

“A e dini se kush është Alban Ramosaj? Ai që i … motrën në Big Brother”, u shpreh Bogdo, derisa muzika censuruese e mbuloi fjalinë e tij në transmetim, teksa iu referua lidhjes që Beatrix e kishte nisur me moderatorin, Donald Veshjan, përgjatë aventurës televizive në Big Brother VIP Albania.

Kaq mjaftoi, që emri i Alban Bogdos, rrallë i lakuar në mediat rozë, të pushtonte titujt e portaleve dhe emisioneve të showbizit.

E shpejtë në reagim ishte tezja e Albanit e Beatrixit, këngëtarja, Albërië Hadërgjonaj, e cila Bogdon e quajti “të patalentuar”, derisa ka përmendur edhe Kodin Penal të Shqipërisë në lidhje me prishjen e imazhit.

Fotografi e publikuar nga Alberie Hadergjonaj në Instagram.

“More djalë i patalentuar mos u mundo të marrësh famë nga të tjerët. Ti bën mirë të kërkosh falje publike për sajesa dhe fjalor të turpshëm. Po për prishjen e imazhit besoj e di që ka edhe nen në Kodin Penal të Shqipërisë”, ka shkruaj Hadërgjonaj.

“Në këtë rast ti bashkë me TV veni mend. Krijo identitet se kështu je për të ardhur keq. Alban Ramosaj ka disa statuja floriri që nuk i njollos dot. Merru me jetën tënde”, ka shtuar ajo.

Lidhur me batutat, asnjë reagim nga Alban Ramosaj nuk ka ardhur akoma në mediat sociale apo në ndonjë intervistë, por duarkryq nuk ka qëndruar edhe motra e tij, artistja, Beatrixa.

Beatrix ka ripostuar storien e publikuar nga Albërie Hadërgjonaj, ku theksohen edhe rrugët ligjore që mund të merren karshi një deklarate të tillë, derisa ka pohuar se ashtu edhe do të ngjajë.

Fotografi e publikuar nga Beatrix Ramosaj në Instagram.

“Ashtu do të ndodhi”, ka mbishkruar Beatrix.

Në krah të Ramosajve, ka dalë edhe prezantuesja, Aulona Musta, e cila e ka kritikuar Bogdon, mbi batutat, derisa ka thënë se një humor i tillë ka tendencë që nga “komedia të kalojë në tragjedi”.

Fotografi e publikuar nga Aulona Musta në Instagram.

“Ah sa shije të keqe që më la kjo video. Ky nuk është humor, nuk është komedi. Ky është një ofendim shumë i madh ndaj një vajze dhe një djali të cilët publiku i ka njohur dhe i njeh si artista. Të bësh komedi nuk do të thotë të marrësh ca batuta nga ata të huajt që e qajnë komedinë”, ka shkruar ajo.

“Komedinë duhet të dish ta bësh duke u përshtatur me mentalitetin e audiencës të cilës i drejtohesh. Ndryshe në një vend si i yni ku femrat vazhdojnë vriten thjesht sepse dashurojnë, komedia shumë shpejt kthehet në tragjedi. Është e pafalshme që një artist të jap mesazhe të tilla, as duke u justifikuar se është humor se vetëm humor nuk është”, ka përfunduar ajo.

Akoma nuk është bërë e ditur nëse Beatrix, ka nisur njëmend rrugët ligjore kundër Albano Bogdos.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore