Shqipëria

Komanda e Operacioneve Speciale të SHBA-ve në Evropë njofton ngritjen e shtabit në Shqipëri


Komanda e Operacioneve Speciale të SHBA-ve në Evropë (SOCEUR) ka marrë vendimin për të ngritur në Shqipëri një shtab të bazës së Forcave të Operacioneve Speciale (SOF), me rotacion.

Sipas tyre, vendndodhja e selisë në Shqipëri do të sigurojë ndërveprim më të madh me shqiptarët, akses të rëndësishëm në qendrat e transportit në Ballkan dhe fleksibilitet më të madh logjistik.

“Shqipëria mbetet një aleate e fortë e NATO-s dhe SHBA-të gëzojnë një marrëdhënie të fortë me qeverinë dhe Ministrinë e Mbrojtjes shqiptare, gjë që e bën vendosjen e një shtabi të përparuar në vendin aleat një përshtatje të natyrshme. Plus, ky vend redukton në masë të madhe kohën e udhëtimit dhe rrit fleksibilitetin e operacioneve speciale dhe forcave konvencionale në rajon”, shkruhet në deklaratën e Komandës.

Kjo sipas tyre, nuk do të ishte e mundur pa mbështetjen e qeverisë shqiptare.

“Aftësia për të lëvizur dhe trajnuar me shpejtësi brenda Ballkanit, në koordinim të ngushtë me forcat e tjera aleate dhe partnere, e bëri Shqipërinë vendndodhjen më të mirë për këtë përpjekje”,  tha gjeneralmajor, David H. Tabor, komandant i Komandës së Operacioneve Speciale në Evropë.

“Shqipëria mbetet një aleate e rëndësishme e NATO-s dhe një partner i çmuar i sigurisë, si në rang rajonal ashtu edhe në atë global”.

Ky vendim është përshëndetur nga ambasadorja e SHBA-ve në Tiranë, Yuri Kim.

“E shkëlqyeshme për të nisur vitin e ri me zhvillim të rëndësishëm në marrëdhëniet amerikano-shqiptare. Hera e parë që SHBA po lokalizon një seli të këtij lloji në Shqipëri”.

Nga ana tjetër Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama e ka cilësuar si “superlajm”, duke theksuar se Shqipëria mbetet një aleat i fortë në NATO.

“Vendndodhja e selisë në Shqipëri do të sigurojë sipas deklaratës një ndërveprueshmëri më të madhe me aleatët tanë. Qasje të rëndësishme në qendrat e transportit në Ballkan dhe fleksibilitet logjistik”.

Numri një i qeverisë theksoi se pjesa më e rëndësishme është “që sot kemi marrë një lajm fantastik që kemi disa kohë që punojmë, është shprehje e një besueshmërie shumë të lartë dhe bashkëpunimi shumë të afërt”.

“Ambasadorja, Yuri Kim duhet falenderuar për lehtësimin që i ka bërë këtij ndërveprimi duke na mundësuar që të jemi në një komunikim më të lartë prej një kohe të qendrueshme dhe pse jo të gjatë”, tha ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore