Shqipëria

Kokaina në kontejnerin e bananeve, në pranga një agjent doganor dhe inspektori i AKU-së


Të premten e 7 janarit janë arrestuar dy persona lidhur me ngarkesën e 119 kilogramëve kokainë të kapur në kontejnerin e bananeve në një magazinë në Vaqarr.

Sipas burimeve, në pranga janë vënë shtetasit J.M., agjent doganor në Portin e Durrësit, dhe B.Q, inspektor i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU).

Një ditë më parë, Policia e Tiranës ka shoqëruar të paktën nëntë punonjës të Portit të Durrësit, agjentë doganore dhe punonjës të Autoritetit Kombëtar Ushqimor, në lidhje me kontejnerin me banane.

Ndërtimi i ngjarjes

Policia e Shtetit, mëngjesin e 31 dhjetorit, ka dhënë informacion zyrtar për operacionin antidrogë, ku u sekuestrua një sasi e konsiderueshme kokaine.

Gjatë kontrollit në brendësi të tij, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 119 kilogramë lëndë të dyshuar narkotike kokainë.

Nga veprimet e para hetimore rezultoi se kontejneri ka kaluar transit në një port në Itali, ku autoritetet ligjzbatuese italiane kanë konstatuar mungesën e plumçes (vulës).

Për këtë arsye kanë ushtruar kontroll dhe kanë konstatuar mungesë të arkave me banane.

Pas këtij konstatimi kanë mbyllur dhe riplumbosur kontejnerin, duke e shoqëruar me procesverbalin përkatës.

Kontejneri ka mbërritur në portin e Durrësit dhe, pas veprimeve të zhdoganimit dhe kontrollit në skaner, ka rezultuar i pastër dhe ka dalë nga porti, me destinacion magazinat e firmës në periferi të qytetit të Tiranës.

Përgjatë rrugës nacionale Durrës – Tiranë, në vendin e quajtur Romanat, kamioni që transportonte kontejnerin është ndaluar nga persona ende të paidentifikuar, të cilët, për disa minuta kanë ushtruar kontroll në kamion dhe kontejnerin me banane.

Më pas, janë larguar me shpejtësi.

Për këtë situatë, përfaqësuesit e firmës importuese të bananeve kanë njoftuar Policinë e Shtetit.

Në vijim të veprimeve, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, u bë ndalimi i shtetasve: H. S., 63 vjeç dhe G. K., 31 vjeç, banues në Tiranë, drejtues të automjeteve të firmës; M. M., 34 vjeç, banues në Tiranë, administrator i një firme import-eksporti me vendet e Amerikës Latine.

Vijon puna intensive për identifikimin dhe kapjen e personave, që kanë ushtruar kontroll në kamionin që transportonte kontejnerin me lëndë narkotike.

Ndërkohë, në bashkëpunim me homologët dhe agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit, vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të këtij rasti, identifikimin dhe arrestimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore