Art&dizajn

Kohë që s’pranon bardhezi


Mes gjendjesh sa të lëkundura, aq edhe të patundshme. Aty fshihet përpikëria e fotografisë bardhezi.

Në brendi të secilës përmasë, ajo nuk është stepur as nga panoramat dhe as nga portretet.

Ka lëvruar nga kompozimet origjinale të lojës me dritëhije të Ansel Adams, tek imazhet ikonike të jetës parisiene dhe aspekteve të ashpra të qytetit të sjella nga Brassai.

Nga spontanitetet e kamerës së Henri Cartier-Bresson, te fotografitë simbol e aq të afërta të luftës të Robert Capa deri te dokumentimi i jetëve në vështirësi përmes gjallërisë së shkrepjeve të Mary Ellen Mark.

Dhe, në rrjedhën e këtyre përvojave artistike, ka lënë shenjë. Shenjë që s’harrohet, s’humbet.

Paçka se pak e duan dhe të paktë janë ata që e lartësojnë.

Jo standard, por finesë

Përmes një bisede me shije, Donald Plozha, nën petkun e fotografit, ka treguar për Albanian Post se fotografia bardhezi nuk është në ditët e veta më të mira.

Përkundrazi, në perceptimin e tij, “fotografia bardhezi është një shije për të bukurën në një format jo-standard”.

Kjo me dallimin se standard janë fotot me ngjyra. Ato bardhezi, shumicën e rasteve, kthehen në të tilla për të përcjellë ndjesinë e një fotografie të vjetër.

“Në përgjithësi, fotografia bardhezi ndryshon nga ajo me ngjyra sepse nisur vetëm nga spektri i ngjyrave, veç dy vihen në lëvizje: e bardha dhe e zeza”, tregon fotografi.

Mirëpo, mungesa e ngjyrave të tjera, e shtyn këtë zhanër të fotografisë të të pasqyrojë më shumë thellësi.

Përparësia e dhënë ndaj fotografisë me ngjyra shpjegohet edhe me peshën më të lehtë të gabimit në të. Kjo prej vetë pranisë së llojshmërisë tërheqëse.

“Tërheqja nga ngjyrat është mangësi te fotografia bardhezi, tek e cila duhet të tregohet vëmendje ndaj detajeve pasi kur fotografohet pa takt dhe pa mesazh, stonon. Stonon më lehtë se sa ajo me ngjyra”, ka veçuar Plozha.

“The Black Sun, Tungsten Hills”, nga Ansel Adams

Megjithatë, efektet që e pasojnë fotografinë e derdhur në të bardhë e në të zi janë krejt sprovuese. Ajo, zakonisht, përdoret për t’i dhënë fotografisë dramaticitet.

“E përbërë veç nga dy ngjyra, lehtësia për dhënien e mprehtësisë fotos rezulton të jetë më e madhe. Po ashtu edhe ndaj detajeve”, tregon fotografi.

Realizimi i kompozimeve mjaft dramatike mundësohet kryesisht nga loja me kontrastin, e cila është mjaft interesante dhe nxjerr një perspektivë origjinale.

Dhe ky karakter i fal këtij zhanri të fotografisë edhe thjeshtësi.

“Ka finesë. Tërheq me thjeshtësi dhe është vështirë ta replikosh me fotot me ngjyra. Kur ke vetëm dy ngjyra, më lehtë ta bësh foton fine sepse bardhezia mund të jetë edhe e mprehtë edhe shumë e butë në të njëjtën kohë”, ravijëzon Plozha.

Por ja që kjo veçanti e fotografisë bardhezi zbehet kur në lojë hyjnë kamerat e telefonave të sotëm inteligjentë, të cilët kanë standard gjallërinë e ngjyrave që mundësohet nga manipulimet elektronike.

“Në kohët tona, ku shumica e fotografive që shkrepen realizohen me telefona inteligjentë që i nxjerrin fotot të bukura dhe me lezet tek ekrani i vogël, diçka çalon. Kur tenton ta zmadhosh foton ose ta printosh, pastërtia e imazhit humbet”, sqaron ai.

Prandaj dhe me to mund të disponohen lehtë foto të këndshme, por jo profesionale, aq më pak ato bardhezi.

Edhe për faktin se kanë specifika ndaj të cilave duhet të kushtohet vëmendje.

“Storm Surf, Timber Cove”, nga Ansel Adams

Fotografitë bardhezi “duhet të përshtaten me karakteristikat e subjektit ose objektit që po fotografohet… e për këtë vijnë në ndihmë tonalitetet”, shprehet Plozha.

Gjithashtu “nëse fotografi zotëron aftësinë të luajë me detajet si nga ana konceptuale, artistike dhe në fund ajo teknike, atëherë fotografia që ai nxjerr nuk ka se si mos të pëlqehet… edhe pse shumica parapëlqen atë me ngjyra”.

Për këtë, ai është shprehur se ky zhanër pak kuptohet. Madje, atyre që u pëlqen, kanë prirjen të jenë më afër artistikes krahasuar me pjesën tjetër. Se ka të bëjë me shije të rafinuar.

Mirëpo, pavarësisht se bardhezia nuk hyn te standardi i publikut të sotëm të përgjithshëm, nëse realizohet mirë, shija e saj mund të imponohet edhe te ta.

“Është klasike. Por jo e pakultivueshme”, përmbyll ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore