Lajme

Knezheviç: Jam gati t’ua shtrijë dorën partive shqiptare, përveç çështjes së Kosovës


Milan Knezheviç

Kreu i Partisë Popullore Demokratike, Milan Knezheviç, në një prononcim për televizionin malazez “Adria”, deklaroi se do t’i japet hapësirë partive shqiptare dhe asaj boshnjake për të qenë pjesë e pushtetit ekzekutiv, nëse koalicioni i tij formon shumicën në qeverinë e re të Malit të Zi.

Knezheviç, i cili është bartës i listës “Për të ardhmen e Malit të Zi” në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të 11 qershorit, pohoi se me partitë shqiptare mund të bashkëpunoj për një numër çështjes, përveç atyre që kanë të bëjnë me Kosovën.

“Ne kemi komunikim korrekt me ata. Besoj se ka pika në të cilat ne mund të bashkëpunonim dhe ka pika që nuk mund të bashkëpunojmë. Kjo i referohet, sipas supozimit tim, qëndrimit tonë ndaj Kosovës. Ne jemi të gatshëm të vendosim një moratorium për çështjet që na ndajnë dhe të punojmë për të ardhmen e Malit të Zi”.

“Çdo qeveri e qëndrueshme duhet të ketë minoritete në të, dhe për sa më përket mua, nëse vendosim në një masë të konsiderueshme – si boshnjakëve ashtu edhe shqiptarëve – u shtrihet dora për të qenë pjesë e asaj qeverie”, theksoi Knezheviç.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Malin e Zi do të mbahen më 11 qershor. Zgjedhjet e fundit u mbajtën më 30 gusht të vitit 2020. Nga 81 vende deputetësh aq sa numëron Kuvendi i Malit të Zi, fatin e tyre në zgjedhje do ta provojnë edhe dy lista të shqiptarëve.

Ndryshe, edhe pse shumica parlamentare në Mal të Zi (Fronti Demokratik, Demokratët dhe URA) pas fitores në vitin 2020 ishin zotuar që të mos ndryshojnë kursin e politikës së jashtme të vendit, ata kanë reaguar ashpër ndaj çdo mbështetjeje të Malit të Zi ndaj Kosovës.

Kujtojmë se Fronti Demokratik (tashmë i shpërbërë) në vitin 2018 kishte nisur një peticion për tërheqjen e njohjes së Kosovës, së bashku me një grumbull partish dhe organizatash pro-serbe e pro-ruse, zyrtarë të të cilëve edhe kishin vizituar Mitrovicën e Veriut.

Gjeloshaj: S’ka qeveri të re në Mal të Zi pa shqiptarët – Pavarësia e Kosovës është e padiskutueshme

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore