Lajme

KMDLNJ: Liria e Lëvizjes së Kosovës nën urdhër të Lajçak-ut


Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut (KMDLNj),

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut (KMDLNj), ka thënë që emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak është duke e përdorur këtë proces për ta pasuruar CV-në dhe ngritjen në karrierë.

KMDLNJ, përmes një komunikate për media konsideron se emisari i BE-së shumë herë në deklarata publike ka bërë presion ndaj Kosovës edhe jashtë mandatit të përcaktuar nga BE-ja.

“Në procesin e bisedimeve për normalizim të marrëdhënieve Kosovë – Serbi, si lehtësues janë dy mohues të pavarësisë së Kosovës, Josep Borrell nga Katalonja e Spanjës dhe Mirosllav Lajçak nga Sllovakia të cilët, në të njëjtën kohë janë rëndues në këtë proces për Kosovën duke u deklaruar anshëm për Serbinë”.

“Sidomos është i shquar Mirosllav Lajçak që Kosovën po e keqpërdorë për pasurim të CV–së personale dhe ngritje në karrierë”, thuhet në reagimin e KMDLNj-së.

Teksa nga ky këshill është konsideruar që në disa deklarata është demonstruar “paternalizëm” i skajshëm për Serbinë.

“Shumë herë në deklarata publike ka demonstruar paternalizëm të skajshëm për Serbinë duke bërë presion, edhe jashtë mandatit të përcaktuar nga BE–së Kosovës dhe politikanëve që janë të përfshirë në këtë proces”.

“Josep Borrell, në jo pak raste ishte treguar arrogant dhe kërcënues ndaj politikanëve kosovarë me shantazhin se; “ai (dhe Lajçaku) nuk janë thjeshtë lehtësues por përcaktues edhe për vendimet që duhet t’i marrin politikanët kosovarë”.

“Gjatë vizitës së fundit Lajçak kërcënoi haptas në mënyrën më të pamoralshme të mundur se Kosova duhet të përcaktohet midis përshkallëzimit dhe normalizimit me paralajmërimin se do të hapet ura mbi lumin Ibër që do të mundësonte lirinë e lëvizjes për të gjithë qytetarët e Mitrovicës dhe jo vetëm të Mitrovicës, pavarësisht përkatësisë etnike, fetare, moshës, gjinisë apo bindjeve politike”.

Ndërkohë në lidhje me Urën e Ibrit, KMDLNj është shprehur se emisari evropian është duke ndërhyrë në punë të brendshme të një shteti të pavarur dhe sovran duke kërkuar që ura mbi lumin Ibër të mos hapët për qytetarë.

“Deri më tani qytetarët e Kosovës kanë qenë të izoluar sa i përket lëvizjes së lirë në Europë e tani, Mirosllav Lajçak me ndërhyrjet arbitrare në punë të brendshme të një shteti të pavarur dhe sovran, duke kërkuar që ura mbi lumin Ibër të mos hapet për qytetarë në mënyrë të lakuriquar  po del kundër kësaj vlere dhe të drejte të njeriut siç është liria e lëvizjes”.

“Pra, Burgun e Madh për Kosovën e që është mohimi i lirisë së lëvizjes në Evropë po e përkthen në një Burg të Vogël apo mohimi i lirisë së lëvizjes brenda Kosovës”.

Si shkoi vizita e Lajçak-ut në Kosovë?

Miroslav Lajçak në Kosovë fillimisht takoi kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

I deleguari i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, bëri të ditur se në takim me Kurtin u diskutua mbi atë se si e sheh Unioni procesin e hartimit të draft-statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

“Roli ynë si lehtësues është gjithmonë të gjejmë rrugën e mesme dhe kjo është pikërisht ajo që ne po përpiqemi të bëjmë”, deklaroi Lajçak pasi u pyet për dy draft-statutet që janë prezantuar nga palët për Asociacionin.

Kur Lajçak u pyet konkretisht për qëndrimin e Unionit mbi modelin kroat të cilën e propozoi Kurti në takimin 2 majit, nëse mund të funksionojë edhe në Kosovë, tha se BE-ja pranon atë që është në pajtim me vlerat evropiane.

“Për BE-në e pranueshme është ajo që është e bazuar në normat dhe vlerat e BE-së, dhe që është në pajtim me modelet ekzistuese evropiane”.

Po ashtu, pas përfundimit të takimit, diplomati sllovak bëri të ditur se takimi i radhës në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi do të zhvillohet të hënën e 15 majit në nivel të kryenegociatorëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore