KMDLNJ e quan “fasadë për mbulimin e problemeve të qytetarëve”, parakalimin e FSK-së dhe policisë

SHFLETO

Parakalimi i FSK-së më 12 qershor.

 

Altina Marmullaku
13.06.2024 14:39
Loading Icons...

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ), ka kërkuar përgjigje në pyetjen se “me çka duhet të krenohemi për 25 vjetorin e çlirimit?”, duke thënë se gjendja aktuale e Kosovës është e “pashpjegueshme” nga aspekti logjik.

“Kosova, në vend të jetë afër integrimit në BE, është nën maskën e sanksioneve për më tepër se një vit, pa asnjë njohje ndërkombëtare gjatë këtij mandati afërsisht të plotë qeverisës dhe plotësisht e dështuar në anëtarësim në institucionet ndërkombëtare ndërkaq dështimi kapital ishte mosantarësimi në Këshillin e Evropës”.

Sipas KMDLNJ-së, parakalimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Policisë së Kosovës ishte vetëm “një fasadë”.

“Parakalimii FSK dhe Policisë së Kosovës ishte vetëm një fasadë prapa së cilës po bëhen përpjekje të mëshohet dhe manipulohet gjendja e rëndë e një numri të madh të qytetarëve të Kosovës që marrin kredi dhe hyjnë në borxhe për shlyer faturat që janë bërë të papërballueshme”, thuhet në komunikatën dërguar mediave.

Ky këshill e ka konsideruar fatkeqësi gjendjen aktuale të qytetarëve.

“Për fat të keq sot qytetarët e Kosovës kanë mbetur në mëshirën e institucioneve të papërgjegjshme të Kosovës dhe përmbaruesve grabitçarë, si "garantues" për mbrojtjen e të drejtave njerëzore të tyre, hiç atyre që në një numër të madh e kanë lëshuar Kosovën!!!”.

Po ashtu, ata kanë thënë se në radhë të parë ishin vendosur persona që sipas tyre s’kanë dhënë asnjë kontribut për shtetndërtimin e Kosovës.

“Përfaqësues të institucioneve të Kosovës që nuk kishin dhënë asnjë kontribut për çlirimin e vendit ishin në radhët e parë kurse ata që sakrifikuan personalisht dhe familjarisht ishin në rreshtin e parafundit. Çfarë injorimi i çlirimtarëve nga injorantët e pushtetshëm!”.

Kosova, të mërkurën e 12 qershorit shënoi 25 vjetorin e çlirimit.

Për nder të kësaj dite u organizuar një sërë aktivitetesh ku morën pjesë krerët e shtetit, njëri ndër ta ishte edhe parakalimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe Policisë së Kosovës në sheshin Zahir Pajaziti.