Shqipëria

KLSH-ja pas auditimit në AKU kallëzon penalisht drejtorin Bledar Skënderi


Kontrolli i Lartë i Shtetit, të mërkurën e 10 nëntorit pas auditimit në Autoritetin Kombëtar të Ushqimit, ka evidentuar mosveprime të Drejtorit të Përgjithshëm, Bledar Skënderi.

Sipas KLSH-së veprimet e Skënderit janë në kundërshtim flagrant me ligjin dhe aktet nënligjore që rregullojnë veprimtarinë e institucionit të drejtuar prej tij.

Prandaj për mosveprimet e Skënderit, KLSH-ja ka depozituar kallëzimin penal në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprën penale “Shpërdorim detyre”, parashikuar në nenin 248 të Kodit Penal.

Drejtoriti Përgjithshëm i AKU-së, Bledar Skënderi.

Në njoftimin e KLSH-së thuhet se auditimi ka ardhur nga problematika e trajtuar në disa media, për t’iu përgjigjur ndjeshmërisë së publikut dhe informimit të tij për çështjet që lidhen me garantimin e sigurisë ushqimore.

Prandaj KLSH-ja ushtroi jashtë programit vjetor të miratuar, auditimin tematik në Drejtorinë e Përgjithshme të AKU-së me objekt: ”Mbi procedurën e ndjekur nga DPAKU nga marrja e njoftimit nëpërmjet sistemit RASFF (sistemi i njoftimit të shpejtë për ushqimin e popullatës dhe ushqimin për kafshë) për përdorimin e paautorizuar të substancës ‘oksid etileni’ në prodhimin e produktit ‘Akullore’ (importuar dhe tregtuar në tregun shqiptar), deri në inspektimin, bllokimin, tërheqjen nga tregu dhe asgjësimin e saj”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore