Shqipëria

Klosi zbardh emrat e anëtarëve të Kryesisë së re të PS-së dhe Sekretariatit


Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Blendi Klosi, ka bërë me dije emrat e Kryesisë dhe Sekretariatit të ri të socialistëve.

Kështu Kryesia do të jetë e përbërë nga Albana Kociu, Anila Denaj, Etilda Gjonaj, Klodiana Spahiu, Lindita Nikolla, Arben Pëllumbi, Erion Brace, Eduart Shalsi, Igli Hasani dhe Toni Gogu.

Sa i takon Sekretariatit, sekretar i Përgjithshëm do të vijojë të jetë Blendi Klosi, sekretar për Organizimin dhe për Zgjedhjet do të jetë Damian Gjiknuri dhe sekretare për Diasporën do të jetë Zerina Bruci.

Milva Konomi do të jetë sekretare e Programit, Roi Basha do të jetë sekretar për Rininë dhe sekretare e Marrëdhënieve me Jashtë do të vijojë të jetë Romina Kuko.

Sakaq sekretare e Gruas u votua sërish Evis Kushi.

Ajo që vihet re është shkrirja e sekretariatit të Burimeve Njerëzore dhe atij Digjital.

Kryeministri i Shqipërisë, njëherësh dhe kryetar i PS-së, Edi Rama e nisi fjalën e tij duke thënë se” sot hapim një kapitull të ri të kësaj familje”.

“Ne do nisemi drejt përballjes për mandatin e katërt. Për 6 muaj duhet jetë gati të zbresë në fushë skuadra jonë përfaqësuese, PS 2030 për Shqipërinë 20230. Pjesëtarët do jenë 187, ku 140 prej tyre në listën e hapur të votimeve dhe 47 në listën e mbyllur të Partisë”.

Rama nënvizoi se, “është e udhës të ndaj me ju që sot se më e mira është që deputetët me më shumë se 1 mandat, pa përjashtuar dhe drejtuesit politikë të qarqeve që hyjnë në këtë kategori, ku bëj pjesë dhe unë personalisht, të jenë në garë të hapur si të gjithë të tjerët”.

“Ndërsa në listën e mbyllur mund të jenë vetëm pak prej tyre, të cilët do të kenë detyra specifike drejtuese dhe koordinuese si për shembull sekretari i përgjithshëm apo drejtuesi i ri politik i Diasporës, në kushtet kur do të jetë edhe hera e parë e pjesëmarrjes në zgjedhje të shqiptarëve jashtë atdheut”, tha Rama.

“Kjo do të thotë se pjesa kryesore e listës së mbyllur do të jenë deputetë me vetëm një mandat dhe të rinj e të reja të cilët do të fitojnë vendin në atë listë duke spikatur prej sot e deri në shkurt në garë individuale nga brenda ose nga jashtë partisë, në mbështetje të shumicës tonë qeverisëse, me angazhim politik në komunitetet e tyre të banimit apo të përkatësisë profesionale në terren dhe në rrjetet sociale”, tha Rama.

Ai u shpreh optimist se PS do të fitojë përsëri, ndërsa opozita do të humb sërisht.

“Disa thonë se ne fitojmë se përdorim pushtetin për të marr votat, dhe që ne i blejmë votat dhe kemi fituar se nuk kemi pasur alternativë dhe se ata vetë ofrojnë alternativë, disa thonë se ne fitojmë se Shqipëria është diktaturë dhe se ndërkombëtarët mbyllin sytë përballë diktaturës në të cilën jemi. Dhe të tjera budallallëqe. Çdo njeri i arsyeshëm që sheh me sytë e vet dhe dëgjon me veshët e vet e kupton kollaj se ne fitojmë dhe do të fitojmë përsëri. Ndërsa kundërshtarët qofshin të rinj apo të vjetër humbin dhe do të humbin”, tha ai.

Madje bëri një parashikim edhe për rezultatin e PD, ndërsa tha se do marrë më pak mandate se në vitin 1997. Në atë kohë PD ka fituar 25 mandate.

Në fjalën e mbajtur para Asamblesë Kombëtare, Rama tha se ata merren tërë ditën e perëndisë vetëm me ne, dhe “asnjë ditë nuk bëjnë punën e tyre, për të mbjellë besimin në popull për veten e tyre”.

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore