Shqipëria

Klosi: Aeroporti i Vlorës, zhvillim ekonomik dhe turistik


“Aeroporti i Vlorës i jep zhvillim ekonomik dhe turistik polit të jugut”.

Kështu u shpreh ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, të enjten, gjatë një aktiviteti nismëtar të mbjelljes së 10 mijë e 800 fidanëve në zonën e Nartës.

Ai theksoi faktin se në këtë zonë ka qenë aeroporti ushtarak dhe nuk prek zonën e mbrojtur të Nartës.

“Nuk është ndërtim i ri”.

Në aktivitet morën pjesë kryetari i bashkisë dhe prefekti i Vlorës. Mbjellja e fidanëve u bë falë mbështetjes së projektit të ACAP-së.

Për projektin ka pasur shumë reagime nga organizata kombëtare dhe ndërkombëtare.

Muajin e kaluar ata i drejtuan një letër të hapur Qeverisë ku ngritën një shqetësim mjedisor lidhur me ruajtjen e zonës së mbrotjur Vjosë-Nartë.

Ata u shprehën se ndërtimi i këtij aeroporti do të dëmtonte në mënyrë të pakthyeshme ekosistemin e kësaj zone.

“Shkatërron në mënyrë të pakthyeshme resurset dhe vlerat natyrore të zonës”.

Për më tepër theksuan faktin se Laguna e Nartës dhe mjediset përreth përfaqësojnë një nga ekosistemet ligatinore (përfshijnë afër 6 % të sipërfaqes së përgjithshme të globit dhe janë ndër mjediset më produktive) më të mëdha e më të rëndësishme të Shqipërisë dhe Mesdheut.

“Zona është e njohur ndërkombëtarisht si Zonë e Rëndësishme për Shpendët dhe Biodiversitetin”.

Në letër thuhej se zona është e regjistruar me një numër total prej mbi 200 lloje të shpendëve të egër. Prej këtij numri, 33 janë të listuar me status kërcënimi në Listën e Kuqe të Shqipërisë.

“Vjosë-Narta është vend-folezimi më i rëndësishëm në Shqipëri dhe ndër më të rëndësishmit në Evropë për disa lloje të rendit të baltakëve”.

“Kjo zonë përfaqëson një prej segmentëve më të rëndësishëm të korridorit të shtegtimit të Adriatikut, ku qindra mijëra shpendë gjejnë ushqim dhe strehë gjatë sezoneve të shtegtimit. Një pjesë e këtyre shpendëve, si për shembull pelikanët, çafkat, pulëbardhat, flamingoja etj, që në këtë zonë hasen me shumicë dhe gjatë gjithë vitit, kanë përmasa dhe peshë të tillë që nëse përplasen me aeroplanët mund të shkaktojnë aksidente tragjik”, shkruanin organizatat.

Ata e përmbyllën duke thënë se ky plan, krijon pengesa edhe në rrugën e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore