Lajme

Klinika e Onkologjisë furnizohet me ilaçin e listës esenciale për të sëmurët me kancer


“Hericeptina” apo siç njihet ndryshe me emrin Trastuzumab.

Klinika Onkologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) është furnizuar me ilaçin Trastuzumab.

Këtë e ka bërë të ditur drejtori i kësaj klinike, Ilir Kurteshi.

“Klinika e Onkologjisë është furnizuar me ilaçin Trastuzumab dhe shumicën e ilaçeve tjera, përjashtim disave që vin këto ditë”, ka thënë Kurtishi

Ai tutje ka njoftuar se përveç ilaçit Trastuzumab, klinika është furnizuar edhe me shumicën e ilaçeve tjera, ndërsa të tjerat që mungojnë pritet të vijnë në ditët e ardhshme.

Ilaçi “Hericeptin’’, i cili përdoret për trajtimin e kancerit të gjirit, ka munguar përsëri në Barnatoren Qendrore të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.

Më herët ishte raportuar në gusht të këtij viti se ky ilaç mungonte prej tre javësh, kurse më furnizimin e këtij ilaçi, drejtori i Onkologjisë Ilir Kurtishi kishte thënë se furnizimi i tij është i mjaftueshëm deri në tre mujorin e parë të vitit 2022.

“Hericeptina” apo siç njihet ndryshe me emrin Trastuzumab, është një ilaç për kancer që përdoret në fazat e hershme edhe më të vona të kancerit të gjirit.

Po ashtu përdoret edhe për trajtimin e kancerit të stomakut dhe kushton rreth 1 mijë e 500 euro.

Gjithashtu, pas raportimit për mungesë masive të ilaçeve të shtrenjta kundër kancerit, Qeveria e Kosovës në mbledhjen e të mërkurës ka ndarë 2.5 milionë euro shtesë për blerjen e barnave esenciale.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka thënë se “qeveria e sheh shqetësuese mungesën e vazhdueshme të barnave, ndërsa në total janë ndarë nga kjo qeveri rreth 30 milionë euro”.

Në Kosovë nga numri i përgjithshëm i të prekurve me kancer, te gratë prin kanceri i gjirit, derisa te meshkujt ai i mushkërive. Ndërsa mosha mesatare e të prekurve, është rreth të 50-tave.

Rreth 10 milionë persona brenda një viti vdesin në botë nga kanceri, duke e bërë atë si shkakun e dytë më të shpeshtë të vdekjeve në mbarë botën.

Nga hulumtimet dhe të dhënat botërore që i ka prezantuar Bordi Nacional i Kancerit në Kosovë, thuhet se; brenda vitit në botë janë 14 milionë raste të reja me kancer, derisa parashihet që deri në vitin 2030, numri i rasteve me kancer të arrijë shifrën prej 21.7 milionë në vit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore