Lajme

Klinaku për aktgjykimin ndaj Gucatit e Haradinajt: Specialja është duke vazhduar me vendime politike


Faton Klinaku.

Pas vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë që uli dënimin ndaj ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucatin dhe Nasim Haradinajn, ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Faton Klinaku, ka ripërsëritur deklaratën e tij se “Gjykata Speciale është politike”.

Klinaku përmes një shkrim në rrjetin social ‘Facebook’ ka thënë se kjo gjykatë është duke vazhduar që të mos hetoj skandalet e prokurorisë së Dhomave të Specializuara, prandaj edhe gjykime të tilla po vazhdojnë.

“Ashtu siç e kemi thënë vazhdimisht që nga themelimi i saj, ashtu e konsiderojmë se Gjykata Speciale është gjykatë politike”.

“Në vend se të hetohen skandalet e prokurorisë së dhomave të specializuara që ju dolën nga zyrat e tyre në Hagë, gjykata vazhdon me vendim politik ndaj krerëve të OVL UÇK-së Hysni Gucati e Nasim Haradinaj”, ka shkruar Klinaku.

Kryetarja e trupit gjykues e ka anuluar vendimin e shkallës së parë e cila i kishte dënuar me 4 vjet e gjysmë ish-krerët e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucatin dhe Nasim Haradinajn, meqë Apeli ua zvogëluar dënimin këtyre të fundit për tre muaj.

“Cakton një dënim prej 4 vjet e tre muaj për Gucatin dhe 4 vjet e tre muaj për Haradinajn”, tha kryetarja e trupit gjykues.

“Lë në fuqi dënimin shtesë për Gucatin dhe Haradinajn me një gjobë prej 100 eurosh. Ky aktgjykim duhet të zbatohet me efekt të menjëhershëm”, shtoi ajo.

Sipas saj, Gucati dhe Haradinaj do të mbeten në paraburgim deri në finalizimin e masave për transferimin e të tyre në shtetin ku do të vuajnë dënimin.

Gucati dhe Haradinaj u arrestuan në Prishtinë më 25 dhe 26 shtator 2020. Ata u transferuan në objektin e paraburgimit të DHSK-së në Hagë pasi kishin rrjedhur disa dokumente konfidenciale nga Gjykata Speciale.

Gjykatësi i Procedurës Paraprake, Nicolas Guillou, më 11 dhjetor 2020, konfirmoi aktakuzën kundër dy të akuzuarve ndërsa aktakuza u bë publike më 14 dhjetor të të njëjtit vit.

Më 16 korrik 2021, Gjykatësi i Procedurës Paraprake, ia kaloi dosjen e çështjes Trupit Gjykues II ndërsa gjykimi filloi më 7 tetor 2021.

ZPS-ja më 10 nëntor 2021, përfundoi paraqitjen e provave të saj. Të dy ekipet e Mbrojtjes përfunduan paraqitjen e provave të tyre më 2 shkurt 2022.

Trupi Gjykues më 18 maj 2022, i shpalli fajtorë dy të akuzuarit për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim gjatë procedurës penale dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Ata akuzoheshin për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe për frikësim të dëshmitarëve.

Gucati dhe Haradinaj dorëzuan njoftime për apel më 17 qershor 2022. Më 5 korrik 2022 u mbajt konferenca para apelit. Seancat e apelit u mbajtën më 1 dhe 2 dhjetor 2022.

Haradinaj ishte i pranishëm fizikisht në sallën e gjyqit ndërkaq Gucati ishte paraqitur në këtë seancë përmes video-lidhjes, pasi i njëjti ishte nënshtruar një operacioni.

Apeli ua zvogëlon dënimet Gucatit dhe Haradinajt për tre muaj

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore