Lajme

Klinaku i reagon këshilltarit të Kurtit: Deklarata e juaj për fryrjen e listave është e pasaktë


Aziz Bici dhe Albin Kurti

Deklaratës së Aziz Bicit, këshilltarit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, “se në batalionin ku ka qenë komandant ka pasur 250 ushtarë të armatosur në menaxhim, ndërsa pas luftës, si veteranë janë regjistruar 600”, i ka reaguar ushtruesi i detyrës së OVL-UÇK-së, Faton Klinaku, i cili deklaratën në fjalë e ka cilësuar si të pasaktë.

Klinaku, i cili ka komentuar deklaratën e Bicit nga prizmi i një ushtari i cili ka qenë pjesë e batalionit të udhëhequr nga vetë Bici, ka thënë se pikërisht ky i fundit ishte në komisionin i cili ka bërë vlerësimin dhe verifikimin e ushtarëve të UÇK-së pas luftës.

“Sa i përket asaj që ka deklaruar Aziz Bici se në batalionin e tij ishin 250 ushtarë (e që në atë batalion isha edhe unë) e sipas tij ia paska bërë komisioni numrin 600, e vetë ishte në komision për vlerësim e verifikim, e unë nuk kam qenë, nuk dua të merrem unë tash në publik, sepse për këtë pasaktësi të madhe i reagova edhe në takim që kishim me kryeministrin Kurti”, ka shkruar Klinaku në rrjetin e tij social në Facebook.

Faton Klinaku

Për Klinakun, një gjë është e qartë, ai rithekson se me çështjen e fryrjes së listave të veteranëve, duhet të merren prokurorët e gjyqtarët, e assesi politikanët.

“Nga pozita që e kam unë, dhe duke pasur parasysh që si OVL UÇK kemi kërkuar hetim nga prokuroria dhe prandaj ka proces gjyqësor që duhet të përfundojë, nuk dua të merrem, por do të ishte mirë të publikohet ajo listë prej atyre 250 vetave, e të shihen se cilët nga ata qindra ushtarët do të mbeten jashtë saj, por edhe për këtë mendoj se duhet të merret prokuroria”, ka shtuar ai.

Ndryshe, Aziz Bici, këshilltar i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit për Kategoritë e Dala nga Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka thënë se në batalionin ku ka qenë komandant ka pasur 250 ushtarë të armatosur në menaxhim, ndërsa pas luftës, si veteranë janë regjistruar 600.

“Në batalionin ku kam qenë unë komandant, i kam pas rreth 250 ushtarë të armatosur. Tash numri ka shkuar në 600, pa nënshkrimin tim. Komisioni qeveritar do të ishte dashur t’i vërtetonte kush ka qenë veteran e kush jo”, ka thënë Bici, në një emision televizivë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore