Lajme

Klinaku: Batisjet e Speciales bëhen për t’i mbuluar dështimet e saj


Faton Klinaku.

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Faton Klinaku, ka akuzuar Zyrën e Prokurorit të Specializuar në Hagë për pengim të drejtësisë.

Klinaku përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, ka thënë se ZPS-ja po e behën këtë për t’i mbuluar dështimet e saj.

“Pengimin e drejtësisë e ka bërë dhe e bën Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë. Bastisjet, arrestimet e ekstradimet, siç ndodhi sot me bashkëluftëtarin Haxhi Shala, bëhen për t’i mbuluar dështimet dhe skandalet e njëpasnjëshme të tyre”, ka shkruar ai.

Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ish-politikani, Haxhi Shala, i njohur me nofkën “Topi”, është intervistuar nga Zyra e Prokurorit Special të Gjykatës Speciale në Hagë.

Veç intervistimit të Shalës, janë kryer edhe bastisje në qytetin e Malishevës.

Nga zyra për media e Speciales kanë konfirmuar për Albanian Post operacionet, por pa shumë informacion.

“Zyra e Prokurorit të Specializuar është duke zhvilluar operacione të vazhdueshme në Kosovë dhe nuk ka komente të mëtejshme”, tha në një përgjigje për AP-në, Chris Bennett, zëdhënës i Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Ndërsa për Shalën nuk është dhënë asnjë informacion.

Për shkak të mungesës së informacioneve nuk është e qartë nëse intervistimi i serishëm i tij ka të bëjë me ndonjë akuzë që rëndon mbi të si ish-komandant i UÇK-së, apo ka të bëjë me ndonjë akuzë për “ndërhyrje në drejtësi”, për çka janë bastisur këto kohët e fundit disa persona në Kosovë.

Shala një herë kishte dhënë intervistë para prokurorisë në Hagë, në vitin 2020.

Ai e kishte bërë vetë të ditur se është ftuar për intervistim nga Specialja.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore