Lajme

Klinaku: As në kohën e pushtuesit s’kemi pasur këso heshtje me zhvillimet që po ndodhin në Kosovë


Faton Klinaku

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL- UÇK), Faton Klinaku, ka reaguar rreth zhvillimeve të fundit në vend, dhe heshtjes, që sipas tij, po mbizotëron.

Përmes një postimi në “Facebook”, Klinaku tha se “as në kohën e pushtuesit nuk kemi pasur këso heshtje me zhvillimet që po ndodhin në Kosovë”.

“Minatorët kanë hyrë në javën e dytë të grevës së urisë e pushtetarët lëre që po heshtin e nuk interesohen fare për ta, por edhe i akuzojnë dhe shantazhojnë pse ata bëjnë grevë”, shkroi Klinaku, duke iu referuar grevës disa ditore të minatorëve të Trepçës.

Përveç kësaj, ai përmendi edhe mosreagimet për bastisjet që Gjykata Speciale është duke i bërë, së fundmi është ajo e kësaj të marte, në shtëpinë e Artan Behramit – ish-këshilltar i ish-presidentit Hashim Thaçi.

“Përndjekjet e vazhdueshme nga Gjykata Speciale, të cilat po  ndodhin edhe sot, po kalojnë në heshtje të atyre që do të duhej që së paku të flisnin”.

“Të mos harrojmë #PoshtëZajednica”, kujtoi ai, duke iu referuar kundërshtimit që kryeministri Albin Kurti, e kishte bërë për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, gjatë kohës sa ishte në opozitë dhe pranimit që ia bëri në kostumin e kreut të ekzekutivit.

Reagimin e tij, Klinkau e përmbylli me një frazë të romancierit francez, Viktor Hygo.

“Një mijë në qëndrofshin, do të qëndroj dhe vetë, Po dhe njëqind në mbetshin, nuk tundem kurrsesi; I dhjeti do të jem, po qe se mbeten dhjetë; E në mbettë veç një, – unë do të jem ai!”, citoi Klinaku Hygon.

Specialja bastis shtëpinë e ish-këshilltarit të Thaçit, Artan Behrami

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore