Bota

Kisha Mormone paditet për fshehjen e skandalit seksual


Një kishë Mormone në Phoenix të Arizona-s është paditur disa herë për akuza që lidhen me fshehjen e skandaleve seksuale me djem të vegjël, pjesë e grupimeve “Boy Scout”.

Në shtatë paditë e ngritura, përfaqësuesit ligjorë të viktimave pretendojnë se zyrtarët e kishës nuk kanë raportuar tek autoritetet abuzimet ndaj djemve.

Një prej avokatëve theksoi se “kisha duhet të mbajë përgjegjësi që të sjellë shërimin e fëmijëve të abuzuar”.

Nga të dhënat e vetë kishës, bie në sy sponsorizimi që ato vetë i bënin grupimeve “Boy Scout”. Ndërkohë që klerikë të kishës akuzohen se kanë abuzuar me postin e tyre dhe fëmijët.

Zyrtarët e kishës, i bënin djemtë me dije se nëse ata mbanin qetësi, gjithçka do të zgjidhej. Më pas, klerikët e akuzuar, i zhvendosnin në grupe të tjera, duke formuar një rrjet të vërtetë abuzimi.

Një zëdhënës për shtyp i kishës, Sam Penrod, deklaroi se “besimi ka zero tolerancë për çdo formë abuzimi”. Ndër të tjera ai shtoi se “kjo çështje ka nevojë për një hetim të thellë”.

Ai gjithashtu hodhi poshtë hamendësimet se kisha zotëronte dosje të zgjeruara të të akuzuarve. “Kisha mësoi detajet e ngjarjes në çastin kur u bë publike për të gjithë”, përmbylli ai.

Por media ka bërë me dije se ky rast nuk është tërësisht margjinal. Në fakt avokati Andrew Van Arsdale, i cili trajton çështjet e abuzimeve seksuale, deklaroi se ka edhe raste të tjera. “Po përgatisim 261 padi mbi abuzimet seksuale në disa grupime ‘Boy Scout’-ësh në gjithë Arizonën” tha ai.

Skandalet e abuzimeve të priftërinjve me të miturit janë një histori e gjatë në SHBA. Ndër rastet më të famshme, është ai i priftërinjve në Boston, i cili çoi kishën katolike në reformim./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore