Lojëra

Kinë/ Frenimi i lojërave online që shtrembërojnë historinë


Rregullatorët kinezë duhet të forcojnë verifikimin e lojërave online dhe të kenë “zero tolerancë” ndaj atyre që shtrembërojnë historinë.

Kështu ka bërë me dije transmetuesi shtetëror Radioja Kombëtare Kineze (CNR) në komentin e dhënë  në faqen e saj të internetit.

Agjencia e lajmeve, “Reuters”, tregon se këto vërejtje të fundit në një seri artikujsh kritikë në mediat shtetërore kineze, ka të ngjarë të shtojnë frikën se industria e video-lojërave do të jetë në radhë për t’u përballur me veprimet rregullatore nga autoritetet vendase.

Gjatë këtij muaji, një artikull që u bë viral, i quajti lojërat në internet “opium shpirtëror”, duke shtuar se fëmijët po bëheshin të varur dhe duke kërkuar frenime më të mëdha. Kjo bëri që aksionet në Tencent Holdings Ltd dhe kompani të tjera të video-lojërave të rrëshqisnin.

Tencent-i, menjëherë pas kësaj, njoftoi se po prezantonte kufij të rinj në kohën e kaluar të fëmijëve në “Honor of Kings”, e cila është loja e tij më e popullarizuar.

Nga ana tjetër, një artikull i veçantë nxori se zbritjet e taksave për industrinë duhet të hiqen.

Lidhur me CNR-në, radioja ka thënë se lojërat që shtrembërojnë historinë mund t’i devijojnë të rinjtë dhe ka cituar një shembull të një loje në të cilën Yue Fei, një gjeneral kinez dhe hero kombëtar në dinastinë Song, u përshkrua si i kapitulluar.

Sipas “Reuters”, rregullatorët kinezë kanë goditur një sërë sektorësh nga prona në teknologji tek mësimet private, duke futur normat rregullatore për të promovuar vlerat socialiste dhe për të frenuar atë që kritikët e kanë quajtur zgjerim kapitalist të pamatur.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore