Lajme

Kina mbyll qytetin prej 9 milionë banorësh, ndërsa testohet strategjia “zero-COVID”


Kina ka mbyllur qytetin e Shenyang

Një qytet industrial prej 9 milionë banorësh është izoluar nga autoritetet shëndetësore kineze, pas raportimeve të 4 mijë e 770 rasteve të reja të virusit – një valë e variantit Omicron.

Të martën e 22 marsit, autoritetet shëndetësore raportuan se infeksionet janë hasur kryesisht në pjesën më të madhe të provincës verilindore të Jilin-it, pasi qyteti i Shenyang-it në provincën fqinje Liaoning u urdhërua të mbyllej të hënën mbrëma.

Kina ka shkuar me hapa të shpejtë në javët e fundit, për të zhdukur grupimet e viruseve me një kombinim të bllokimeve hiper-lokale, testime masive dhe mbyllje në mbarë qytetin.

Autoritetet kanë paralajmëruar për rrezikun nga bllokimet e vazhdueshme, ndërsa vendi përpiqet të balancojë krizën shëndetësore me nevojat e ekonomisë së dytë më të madhe në botë.

Shenyang, bazë industriale shtëpi e fabrikave, përfshirë prodhuesin e makinave “BMW”, raportoi 47 mijë raste të reja të martën, pasi autoritetet i vendosën të gjitha komplekset e banesave nën “menaxhimin e mbyllur” dhe i ndaluan banorët të largoheshin pa një rezultat negativ të testit 48-orësh.

Një qytetare duke u testuar për COVID-19

Javën e kaluar, presidenti kinez Xi Jinping theksoi nevojën për të “minimizuar ndikimin” e pandemisë në ekonominë e Kinës, por gjithashtu u kërkoi zyrtarëve që t’i “mbahen” qasjes aktuale zero-COVID.

Disa qytete si Shangai kanë shmangur një bllokim të plotë, duke imponuar një rrjetë bllokimesh individuale të ndërtesave, edhe pse infeksionet e reja ditore asimptomatike atje shkojnë në qindra.

Zyrtarët provincialë Jilin njoftuan të hënën se 10 mijë dozat e para të ilaçit oral COVID të markës Pfizer mbërritën të dielën, duke shënuar herën e parë që Paxlovid është përdorur në Kinë.

Provinca javën e kaluar vendosi kufizime të rrepta udhëtimi, duke ndaluar vendasit të largohen nga qytetet dhe qarqet e tyre, ndërsa disa qytete tashmë i kanë mbyllur banorët në shtëpi.

Fuqia jugore e teknologjisë e Shenzhen, të hënën njoftoi se do të hiqte bllokimin e saj njëjavor “në mënyrë të rregullt”, pasi kishte lehtësuar pjesërisht masat të premten për të minimizuar ndikimin e mbylljeve të virusit në fabrika dhe porte.

Javën e kaluar, zyrtarët shëndetësorë zbuluan se vetëm rreth gjysma e kinezëve të moshës mbi 80 vjeç janë vaksinuar dyfish, pasi spektri i niveleve të tmerrshme të vdekshmërisë nga COVID-19 në Hong Kong – kryesisht në mesin e të moshuarve të pavaksinuar – varet mbi vendimmarrjen e Pekinit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore