Gjykata Speciale

Kilaj kërkon leje nga Gjykata Speciale që t’i kalojë pushimet në Shqipëri


Isni Kilaj

Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Isni Kilaj, i cili është në arrest shtëpiak nga maji i këtij viti, ka kërkuar leje nga Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) që t’i kalojë pushimet verore në Shqipëri, ndërsa është zotuar se në asnjë mënyrë nuk do të tentojë të arratiset.

“Z. Kilaj, një njeri që nuk përballet me akuza të konfirmuara dhe që përfiton nga prezumimi i pafajësisë, dëshiron të bëjë një pushim të shkurtër nga [REDAKTUAR] 2024 me gruan e tij në Shqipëri [REDAKTUAR]”, thuhet në kërkesën e ish-kryetarit të Malishevës për Gjykatën Speciale.

“Ai s’e ka rezervuar ende akomodimin duke qenë se kërkesa mund të jetë objekt i procesit gjyqësor dhe gjyqtari i vetëm mund të mos jetë në gjendje të vendosë për aplikimin përpara [REDAKTUAR]. Nëse aplikimi plotësohet me një vendim të favorshëm – qoftë edhe një vendim në parim – ai do të bëjë rezervimin menjëherë dhe do të konfirmojë datat përfundimtare”.

Ish-pjesëtari i UÇK-së, i cili ishte arrestuar nga DHSK-ja në nëntor të vitit 2023 nën dyshimet për veprat penale që kanë të bëjnë me pengimin e drejtësisë, në maj të këtij viti është liruar “me kushte të rrepta” të sigurisë, pas dhënies së dorëzanisë prej 30.000 eurosh. Kilaj ka qëndruar për pothuajse gjashtë muaj në qendrën e paraburgimit në Hagë të Holandës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore