Lajme

Kherson dhe Kharkiv pa energji


Dëme kolosale në infrastrukturën energjetike të Khersonit dhe Kharkivit janë shkaktuar nga Ushtria ruse, duke i lënë kështu dy qytete në terr thuajse të plotë, pa energji dhe ngrohje, me një dimër të ftohtë që po troket në dyert e qytetarëve ukrainas.

Është kjo fushëpamja e fundit e agresionit rus në Ukrainë, me bombardime të panumërta çdo ditë, në të gjithë rajonet, përfshi Khersonin e rimarrë nën kontroll së fundmi nga Kievi, pas aneksimit të jashtëligjshëm që Moska i bëri atij dhe tre rajoneve të tjera: Donetsk, Luhansk, Zaporizhzhia.

Nga ana tjetër Kharkivi, i gjendur në pjesën lindore të Ukrainës, është goditur ditën e fundit nga 76 raketa ruse, të cilat kanë shënjestruar nëntë uzina energjetika, që shërbenin për furnizimin e qytetit me rrymë.

Oleg Synegubov, kreu i rajonit administrativ të Kharkivit, e quajti një katastrofë të vërtetë situatën në qytetin që qeveris, duke garantuar nga ana tjetër se po punohet shumë intensivisht për rikthimin e energjisë në pjesë të ndryshme të qytetit.

Megjithatë, puna është e vështirë, duke parë edhe raketimet e vazhdueshme të Rusisë, në pjesë të ndryshme të vendit.

Këshilltari ukrainas për mbrojtjen ndërkohë, Yuriy Sak, ka deklaruar se shërbimet e emergjencës i janë bashkuar atyre rajonale, për të parë mundësinë e riparimit sa më të shpejtë të strukturës energjetike.

Përtej çështjes së rrymës, ka pasur ditët e fundit edhe tre të vdekur si pasojë e arkëtimeve, ku 13 persona të tjerë kanë mbetur të plagosur, kryesisht në rajonet jugore.

Në kryeqytetin Kiev, metroja ka ndaluar së punuari, për shkak të frikës se mund të ketë goditje me predha.

Sistemet anti-raketore ukrainase kanë kapur gjithsej vetëm në ditën e fundit, 60 nga 76 raketa ruse të lëshuara në pjesë të ndryshme të vendit.

Rreth 40, janë lëshuar vetëm drejt Kievit, ku vetëm tre arritën të godisnin tokën.

Ndihmë nga aleatët perëndimorë pritet edhe më tej, me sisteme më të sofistikuara anti-raketore, përfshi ato gjermane dhe amerikane.

Problem i madh për Ukrainën, vijojnë të mbeten edhe sulmet me dronët iranianë kamikazë që Rusia ka në përdorim dhe për të cilat raportohet se Teherani, vijon t’i dërgojë rregullisht Moskës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore