Lajme

KFOR-i është gati për çdo situatë që mund të ndikojë në mjedisin e sigurisë, thotë komandanti Ulutas


Ozkan Ulutas

Komandanti i Forcës së NATO-s në Kosovë (KFOR), Ozkan Ulutas, ka thënë se misioni paqeruajtës është duke përcjellur nga afër të gjitha zhvillimet e sigurisë në Ballkanin Perëndimor, ndërsa ka shtuar se KFOR-i është gati për çdo situatë që që mund të ndikojë në mjedisin e sigurisë në përputhje me mandatin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB).

Kështu ka thënë komandanti i KFOR-it në një intervistë për “Kosovo-Online” të dielën, derisa ka komentuar deklaratën e presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, i cili ka pretenduar të ketë marrë informacione se Rusia është duke palanifikuar të nis një luftë në Ballkanin Perëndimor për ta larguar vëmendjen e botës perëndimore nga lufta në Ukrainë.

“S’do të spekuloj për ndonjë skenar të ardhshëm. Ne monitorojmë nga afër të gjitha zhvillimet përkatëse të sigurisë në rajon. KFOR-i ka një prezencë të zhdërvjellët, fleksibile dhe të dukshme në mbarë Kosovën. Ne mbetemi vigjilentë dhe të përqendruar në zbatimin e përditshëm të misionit të OKB-së dhe gati për të trajtuar çdo situatë që mund të ndikojë në mjedisin e sigurisë”.

Shefi i misionit të NATO-s ka shtuar se situata e sigurisë në pjesën veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe është e qetë, ndonëse akoma e brishtë. Ai ka përsëritur se NATO ka katërfishuar praninë e KFOR-it në veri të Kosovës dhe ka trefishuar numrin e patrullave, duke përfshirë edhe ato përgjatë vijës kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Në përgjithësi, situata e sigurisë tani është më e qetë, por mbetet e brishtë. Këta janë hapa të kujdesshëm për të siguruar që misioni i KFOR-it të vazhdojë të përmbushë mandatin e OKB-së – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të siguruar një mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore